Lajme
Mario Fehr: Zvicra dhe Kosova kanë një miqësi të thellë, histori dhe vlera të përbashkëta
Me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në sallën komunale të Zollikonit u organizua një mbrëmje solemne festive nga Konsullata kosovare në Cyrih, ku mori pjesë edhe Regierungsrat i Kantonit të Cyrihut, Mario Fehr.
Në fjalimin e tij, z. Fehr vuri në pah marrëdhëniet e veçanta dhe afatgjata ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, rolin e rëndësishëm të diasporës kosovare në shoqërinë zvicerane, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të Zvicrës për paqen dhe stabilitetin në Kosovë përmes misionit SWISSCOY/KFOR.
Ai theksoi se integrimi i komunitetit kosovar në Zvicër është një histori suksesi dhe se qytetarët me prejardhje nga Kosova sot janë pjesë aktive e jetës politike, ekonomike, kulturore dhe sportive të vendit.
Në fjalimin e tij, Mario Fehr vuri në pah edhe faktin se integrimi i komunitetit shqiptar në Zvicër nuk është vetëm shoqëror dhe ekonomik, por edhe politik. Sot, qytetarë zviceranë me rrënjë shqiptare janë aktivë dhe të zgjedhur në nivele të ndryshme të politikës zvicerane, duke përfaqësuar denjësisht interesat e shoqërisë dhe duke kontribuar në forcimin e demokracisë.
Ai përmendi se në Parlamentin Federal, në parlamente kantonale dhe në këshilla komunalë ka politikanë me prejardhje shqiptare, të cilët janë shembull i një integrimi të suksesshëm dhe i angazhimit qytetar. Këta politikanë shërbejnë si urë lidhëse mes komuniteteve dhe dëshmojnë se Zvicra ofron mundësi reale për pjesëmarrje dhe përfaqësim për të gjithë.
Si shembull konkret, u përmend edhe Përparim Avdili, djali i një familjeje sezonalësh, i cili sot është aktiv në politikën zvicerane dhe kandidat për kryetar të qytetit të Cyrihut – një dëshmi e qartë se rruga nga migrimi drejt përgjegjësisë politike është e mundur.
Më poshtë gjeni fjalimin e plotë të z. Mario Fehr, të përkthyer në shqip:
Fjalimi i plotë i Mario Fehr
(Zollikon, 19 shkurt 2026)
I nderuar z. Konsull, Vigan Berisha,
të nderuar përfaqësuese dhe përfaqësues të trupit diplomatik,
të çmuara mike dhe miq të Kosovës dhe të Zvicrës,
zonja dhe zotërinj të nderuar,
Ju përgëzoj përzemërsisht për Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Lidhja mes Kosovës dhe Zvicrës, mes Kosovës dhe Kantonit të Cyrihut, është e rëndësishme – dhe kjo reflektohet edhe në lidhjen time personale me Kosovën.
Mirëmbrëma! Grüezi dhe mirëmbrëma! Ju përshëndes përzemërsisht!
Kjo ditë më bën krenar edhe mua si zviceran. Sepse Zvicra ishte shteti i dytë që e njohu shtetin e ri të Kosovës dhe që në vitin 2008 hapi ambasadën e saj në Prishtinë. Ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme, këshilltarja federale Micheline Calmy-Rey, u angazhua shumë herët për pavarësinë e Kosovës (që nga viti 2005) dhe e vizitoi Kosovën disa herë.
Mbrëmja e sotme me ju e konfirmon bindjen që kam pasur tashmë para gati 25 vjetësh, kur isha ende deputet i ri në Parlamentin Kombëtar dhe anëtar i Komisionit të Politikës së Sigurisë: pjesëmarrja e Zvicrës, së bashku me shumë partnerë të tjerë, në misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë ka qenë dhe mbetet e drejtë dhe e rëndësishme.
Në vitin 2002 vizitova për herë të parë trupat e SWISSCOY-it në Kosovë – në Suharekë dhe në qytetin e bukur fqinj të Prizrenit. Në vitin 2007 pasoi një tjetër vizitë në rajonin e Gjilanit, së bashku me Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Kombëtar. Nga kjo zonë vijnë edhe shumë njerëz që sot jetojnë në Zvicër. Disa prej tyre janë të përfshirë edhe në administratën kantonale, përfshirë Sekretariatin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Sigurisë apo të Drejtorisë së Shëndetësisë.
Vizita ime e fundit në Kosovë ishte pak para Krishtlindjeve të vitit 2019. Atje pata mundësinë të shihja nga afër aktivitetet e SWISSCOY-it në disa lokacione, përfshirë selinë qendrore në Prishtinë dhe zona të tjera. Këto ishin përvoja shumë mbresëlënëse për mua si Drejtor i Sigurisë i Kantonit të Cyrihut. Promovimi ushtarak i paqes dhe misionet e armatosura jashtë vendit janë shtylla të rëndësishme të politikës sonë. Sidomos Zvicra, si shtet neutral, gëzon një besueshmëri të lartë në këto fusha.
Lidhja mes Zvicrës dhe Kosovës karakterizohet nga një komunitet i fortë kosovar në Zvicër me mbi 250 mijë persona. Që në vitet ’60, punëtorë sezonalë nga ky vend i vogël malor i Evropës Jugore erdhën në një tjetër vend malor të vogël në Evropën Qendrore. Në fund të viteve ’90, Zvicra u bë vend mërgimi dhe strehimi gjatë luftës.
Gjatë dekadave, kosovaret dhe kosovarët e kanë gjetur vendin e tyre në shoqërinë zvicerane. Integrimi ka qenë i suksesshëm. Sigurisht që ka pasur paragjykime, sfida të përditshme, pengesa gjuhësore dhe kulturore. Por përmes punës së palodhur, hapjes dhe shkëmbimit, është arritur shumë. Sot, zvicerane dhe zviceranë me rrënjë kosovare janë të pranishëm në ekonomi, sport, kulturë dhe politikë, duke kontribuar që shoqëria jonë të bëhet më e larmishme.
Kontributet e komunitetit kosovar në jetën tonë shoqërore dhe politike janë të dukshme. Një deputet i Parlamentit Kombëtar nga Cyrihu ka rrënjë kosovare. Po ashtu edhe disa anëtarë të këshillave komunale dhe kantonale. Një shembull tjetër është Përparim Avdili – fëmijë i një familjeje sezonalësh – i cili aktualisht kandidon për postin e kryetarit të qytetit të Cyrihut.
Disa madje thonë se Kosova është kantoni i 27-të i Zvicrës… ose ndoshta e kundërta!
Si tifoz i madh i futbollit dhe si ministër i sportit i Kantonit të Cyrihut, duhet patjetër të flas edhe për lidhjet në sport: Kosova është një komb futbolli. Dhe futbollistë të talentuar me rrënjë kosovare si Blerim Dzemaili (FC Zürich, FC Unterstrass), Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri kanë luajtur dhe luajnë edhe në fushat e futbollit këtu. I pari ishte Milaim Rama (FC Thun).
Kujtimi im personal për Dzemailin lidhet me vitin 2014: në Kampionatin Botëror, Zvicra luan kundër Argjentinës në fazën e 1/8-ës. Unë jam në stadium. Koha shtesë, minuta e 118-të, kur Dzemaili godet me kokë një top drejt portës. Topi përplaset në shtyllë… dhe edhe goditja e dytë, për fat të keq, nuk përfundon në rrjetë.
Është për të ardhur keq që pikërisht fitoret e Zvicrës kundër Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës i siguruan Zvicrës biletën për Kampionatin Botëror këtë verë. Por as kjo nuk mund ta dëmtojë marrëdhënien tonë të mirë. Për më tepër, kosovarët bëjnë tifo edhe për lojtarët zviceranë me rrënjë kosovare. Natyrisht, ne u urojmë shumë fat edhe Kosovës, e cila në fund të marsit do të fitojë në play-off kundër Sllovakisë dhe më pas, me shumë gjasë kundër Turqisë, do të kualifikohet për Kupën e Botës – dhe atje të mos përballet me Zvicrën!
Përfundim
Lidhjet mes Zvicrës dhe Kosovës janë po aq të larmishme sa vetë jeta – në sport, politikë dhe ekonomi. Shpresoj shumë që kjo të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe që të takohemi sërish në festimet e 20-vjetorit të Kosovës si shteti më i ri në Evropë.
Urime Ditën e Pavarësisë!
Lexoni po ashtu:
E-Diaspora
-
Suedi
Mbrëmje festive në Stockholm: “Jehona” bashkon shqiptarët për Ditën e Pavarësisë Pavarësia e Kosovës festohet në Stockholm nga Shoqata “Jehona”... -
Baden
Baden-Austri: SHKA „17 Shkurti“ organizon të shtunën koncert për Pavarësinë e Kosovës -
Gjermani
Fatlume Bunjaku, zëri i ri i kinematografisë kosovare në skenën evropiane -
Pianisti kujton në sheshin e Mynihut fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë -
Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër uron muajin e Ramazanit
Jeta në Austri
-
Vjena rrit ndihmën për të pastrehët gjatë stuhisë dimërore Vjena zgjeron strehimoret për të pastrehët gjatë reshjeve të dendura të borës dhe nxit përdorimin e... -
Baden
Baden-Austri: SHKA „17 Shkurti“ organizon të shtunën koncert për Pavarësinë e Kosovës -
I papunë në pushime, AMS me gjoba të ashpra -
Vjenë
Ministrja Spiropali e ftuar nderi në mbrëmjen tradicionale të Operës në Vjenë -
75,000 euro të marra nga kasaforta në Vjenë, vjedhja e shpikur













