Lajme
Manipulim me pensionistët e hutuar
Pështjellimi me pensionet kosovare në Zvicër ka një emërues të përbashkët, e ai është Enti Federal Për Sigurime Sociale, i cili vazhdon të refuzojë pagesën e të hollave për personat me sigurim pensional dhe atij të invaliditetit të Zvicrës edhe pas vendimit të Gjykatës Federale Administrative, e cila vërteton sërish vlefshmërinë e marrëveshjes me Kosovën.
Këtij pështjellimi me pensionet i kanë kontribuar edhe institucionet e Kosovës, të cilat nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim.
Ky është shpjegimi që mund të jepet në Zvicër nga njohësit e sigurimeve sociale.
© albinfo.ch: Jeton Kryeziu
Avokati kosovar, Jeton Kryeziu, thotë se në këtë situatë i ka sjellë pensionistët kosovarë nga Zvicra vendimi i Këshillit Federal, i cilli u pranua nga Entit Federal për Sigurime Sociale dhe bëri që të mos vazhdohet marrëveshja me Kosovën për sigurimet sociale nga 1 prilli i 2010-s.
“Kjo i ka hutuar pensionistët dhe për këtë arsye ata po shpejtojnë me tërheqjen e kontributeve, me frikën se do t’i humbasin kursimet e tyre”, thotë për Albinfo.ch avokati Jeton Kryeziu.
Edhe ai pohon se në zyrën e tij ka pasur kërkesa të tilla të mërgimtarëve pensionistë, porse nuk ka përfituar sa kolegët e tyre në Kosovë që marrin provizione për të tërhequr kontributet e pensionistëve në Zvicër.
“Te ne, sidomos në kantonin Vaud, është përcaktuar me ligj se avokatët punojnë me orë dhe jo me përqindje”, tha avokati Jeton Kryeziu.
Avokati me zyrë në Lozanë mendon se Enti Federal për Sigurime Sociale ka mundur të gjejë ndërkohë një zgjidhje të përkohshme për pensionistët kosovarë deri në ripërtërirjen e marrëveshjes për sigurime sociale me Kosovën.
Ai ka rikujtuar pensionistët se vendim i Entit Federal për Sigurime Pensionale për mosdhënien e pensioneve në Kosovë është shfuqizuar me vendimin më të ri të Gjykatës Federale të Zvicrës.
“Gjykata Administrative Federale, me vendimin C-4828/2010, të 7 marsit 2011, ka hedhur poshtë vendimin e Këshillit Federal të 18 dhjetorit 2009 (ku thuhet se Këshilli Federal ka marrë vendim për anulimin e marrëveshjes së vitit 1962 me Kosovën). Enti Federal i Sigurimeve Sociale ka kundërshtuar vendimin e 7 marsit të vitit 2011 në Gjykatën Federale. Me vendimin 9C_329/2011 të 27 shtatorit 2011, Gjykata Federale ka refuzuar kundërshtimin të Entit Federal të Sigurimeve Sociale dhe ka konfirmuar vendimin e Gjykatës Administrative Federale”, sqaron avokati për albinfo.ch ecurinë e këtij procesi me pensionet e kosovarëve në Zvicër.
Sipas avokatit Kryeziu, tashmë është gjithçka e qartë, por vetëm duhet të fillojë zbatimi i pensioneve nga Enti Federal i Sigurimeve Sociale.
“Rezultati është se hedhet poshtë vendimi i Këshillit Federal për të anuluar marrëveshjen ndërkombëtare të sigurimeve sociale me Kosovën dhe se marrëveshja e vjetër është ende në fuqi. Prandaj, pensionistët kosovarë të cilët e braktisin Zvicrën për të kaluar vitet e pleqërisë në Kosovë kanë plotësisht të drejtë të marrin pensionet sikurse më herët”, tha avokati Kryeziu.
© albinfo.ch: Hilmi Gashi
Edhe Hilmi Gashi, ekspert për migracion në Zvicër, thotë se mosvazhdimi i marrëveshjes për sigurime sociale me Kosovën ka shkaktuar pasiguri në mesin e pensionistëve kosovarë në Zvicër, të cilët kanë arritur moshën e pensionit, apo janë në prag të arritjes së moshës së pensionimit.
“Frika e tyre se mund të humbin të drejtën e ngritjes së kontributeve është e kuptueshme, edhe pse e paarsyeshme dhe e panevojshme”, tha për albinfo Hilmi Gashi.
Gashi për ketë fajëson edhe Prishtinën, përkatësisht institucionet e Kosovës, të cilët nuk i kanë informuar mirë dhe me kohë pensionistët.
“Për fat të keq, edhe qeveritarët tanë, edhe mediet nuk kanë komunikuar drejt me qytetarët. Sepse, po të ishin informuar sa duhet dhe si duhet, atëherë shumë prej këtyre nuk do të kishin ndërmarrë hapa të ngutshëm”, thotë Gashi.
Eksperti për migracion në Zvicër, Hilmi Gashi, thekson se këtë situatë e kanë shfrytëzuar më së shumti avokatët për të përfituar.
“Nëpër gazetat e Kosovës janë prononcuar disa “ekspertë”, të cilët kanë bërë panik në mesin e pensionistëve. Këtë e kanë shfrytëzuar disa avokatë dhe këshilltarë si dhe të vetëquajtur ekspertë, duke u ofruar atyre shërbime me provizione të majme. Flitet për shërbime deri në 10 për qind të shumës së kursyer. Këtu mund të shihen përfitimet marramendëse”, tha Gashi.
Ai ka thënë se 1 prilli i 2015-s për tërheqjen e kontributeve është afat i pakuptimtë dhe i shpikur nga përfituesit.
“E vërteta është se kontributet duhet të tërhiqen pesë vjet pasi që personi të arrijë moshën e pensionimit. Konkretisht: një shtetas i Kosovës, i cili ka punuar në Zvicër dhe mbush 65 vjet, me këtë ai arrin moshën e pensionit. Ai tash ka kohë deri në moshën 70-vjeçare të bëjë kërkesën për ngritjen e kontributeve të arkën e sigurimit të pensionit të pleqërisë AHV. Për trashëgimtarët dhe të mbeturit vlen e njëjta. Pesë vjet pas vdekjes së prindit apo bashkëshortit ata duhet të kenë parashtruar kërkesën”, tha për albinfo.ch Hilmi Gashi.
Gashi u ka sugjeruar pensionistëve kosovarë të mos paguajnë avokat, ngase kontributet e tyre, po të duan, mund t’ i tërheqin falas.
“Formularët përkatës shkarkohen prej internetit, apo mund të tërhiqen në Ambasadën e Zvicrës në Prishtinë. Avokatët e Kosovës i bëjnë aplikacionet për ngritjen e kontributeve po në këtë mënyrë. Atyre kjo procedurë nuk iu kushton asgjë. Përkundrazi, ata mbushin xhepat e tyre pa asnjë mund të madh”, thotë Gashi.
Për Gashin është e pakuptimtë pse nuk po zbatohet vendimi i Gjykatës Federale Administrative për të filluar dhënia e pensioneve.
“Ka të bëjë me natyrën e vendimit për mosvazhdimin e marrëveshjes me Kosovën. Ky vendim ka qenë vendim politik. Sipas disa informacioneve që kemi siguruar gjatë kësaj kohe, ka pasur diplomatë të ndryshëm zviceranë, të cilët e kanë kundërshtuar këtë apo nuk kanë qenë shumë të lumtur me vendimin. Besoj se këtu qëndron problemi. Po të kishte qenë diçka teknike, ajo do të ishte rregulluar me kohë”, mendon Gashi.
Por jo të gjithë pensionistët kanë tërhequr kontributet e tyre nga Zvicër.
Pensionisti Shaban Krasniqi nga Kamenica thotë për albinfo.ch se me gjithë ofertat e shumta nga “profiterë”, siç i quan ai, nuk ka dashur t’i tërheqë kontributet e tij nga Zvicra.
Ai thotë se pleqëria është e rëndë pa pension në Kosovë.
“Po çka bën njeri pa pension në Kosovë, bre. Atje nuk ka as sigurime shëndetësore, as kurrgjë. E na për çdo ditë të sëmurë. Po a nuk po i shohin pensionistët tanë atje. Paret i merr, po të shkojnë për një muaj në Kosovë, e tani mëshoi fyellit”, tha Krasniqi.
Pensionisti nga Kamenica tha se për çdo ditë bisedojnë me bashkëmoshatarët e tij për këtë temë dhe, sipas tij, ka prej pensionistëve që i kanë tërhequr kontributet nga Zvicra.
Llogaritet se Zvicra paguan rreth 59 mijë pensione për njerëz që jetojnë jashtë këtij shteti, ku 43 mijë prej tyre janë shtetas të Bashkimit Evropian, derisa pesë për qind e tyre janë nga Ballkani Perëndimor.
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit










