AT Balkani
Mali i Zi voton, ndarje mes bllokut promalazez e atij proserb
Qytetarët në Mal të Zi votojnë të dielën për parlamentin e ri. Rezultati është më i paparashikueshëm se në zgjedhjet e kaluara.

Të dielën (30.08.) në Mal të Zi zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Milo Gjukanoviç synon fitoren e njëmbëdhjetë pas 30 vjetësh në pushtet, ndërsa opozita e renditur në disa blloqe synon me ngulm ndërrimin e pushtetit. Zgjedhjet zhvillohen në atmosferën e një hendeku mes bllokut promalazez dhe atij proserb, që u thellua pas miratimit dhjetorin e kaluar të ligjit për liritë fetare, të pasuar me konflikte mes shtetit dhe kishës.
Ndërsa PDS i quan zgjedhjet vendimtare për mbrojtjen e sovranitetit të Malit të Zi nga nacionalizmi serbomadh dhe kisha ortodokse serbe, për opozitën ato janë vendimtare për mbrojten e kishave dhe vendeve të shenjta. Me ndihmën e kishës ortodokse serbe koalicionet opozitare „Për ardhmërinë e Malit të Zi” dhe „Kombi ynë është paqja” synojnë të fitojnë mbështetës dhe të rrëzojnë, siç shprehen, diktaturën 30-vjeçare.
Mobilizim i votuesve proserbë
Ligji i lirisë fetare, i cili u pasua me organizimim e rregullt të liturgjive protestuese në rrugët e qyteteve, me mbështetjen e opozitës, por edhe të qytetarëve, ka influencuar sipas analistëve një pjesë të elektoratit besimtar ortodoks, mbështetës të DPS-së. Studiuesi i opinionit, Milosh Beshiç, thotë për DW: „Ky ligj i ka motivuar zgjedhësit proserbë që të dalin për të votuar dhe ka demotivuar një pjesë të votuesve të partisë së Gjukanoviçit, të cilët janë të lidhur me kishën ortodokse serbe”.
Kisha ortodokse serbe është përfshirë direkt në fushatë. Metropoliti Amfilohije u shpreh se për herë të parë do të marrë pjesë në zgjedhje në moshën 82-vjeçare dhe i bëri thirrje popullit të votojë kundër pushtetit. As qeveria nuk rri duarkryq dhe mobilizon votuesit e vet.
Lideri i DPS-së, Gjukanoviç, iu përgjigj me fjalët se do të fitojë në votimet e të gjitha strukturave, edhe të atyre që në flamur kanë kishën. Ndërsa kryeministri dhe bartësi i listës së DPS në pushtet Dushko Markoviç rriti tensionet me fjalët „Të dielën do t’i përgjigjemi opozitës dhe pas humbjes në votime kisha ortodokse serbe dhe priftërinjtë e saj do të kthehen në manastire e kisha dhe se për ata priftërinj që i mallkojnë ata dhe Malin e Zi do të hapë kufijtë t’i kthejë në shtëpitë e tyre”.
Sipas anketimeve, DPS e presidentit Gjukanoviç ashtu si dhe opozita nuk sigurojnë dot më shumë se gjysmën e mbështetësve. Vlerësimet e instituteve për hulumtimin e opinionit nuk bëjnë dot një parashikim të qartë për fituesin. Edhe pse DPS thotë se anketimet janë të pasakta dhe se do të fitojë.
Pushteti mund të varet nga partitë e vogla
Për fitoren e partisë qeverisëse PDS rol ndihmës mund të luajnë partnerët tradicionalë, partitë e pakicave. Në këto rrethana vota e shqiptarëve është me rëndësi për përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kërkoi popullit të Malit të Zi të mbështesë Milo Gjukanoviçin dhe Listën Shqiptare (partnere në koalicionin qeverisës) në Mal të Zi. Mbështetjen për Listën Shqiptare e kërkoi edhe presidenti i Kosoves Hashim Thaçi. Pas pamundësisë për të dalë në zgjedhje së bashku shqiptarët përfaqësohen nga dy koalicione, nga Lista shqiptare dhe nga koalicioni „Bashkë një Za”, që me programin e tij politik synon përfaqësimin proporcional në nivel shtetëror në Mal të Zi.
Edhe partitë më të vogla qytetare SDP dhe URA mund të luanin rol ndihmës në rast të fitores së partive opozitare. Ato kritikojnë stagnimin ekonomik, korrupsionin, si dhe faktin që pushteti nuk është ndërruar prej 30 vjetësh.
Rezultati varet nga dalja në votime
Rezultati i këtyre votimeve, që konsiderohen si më të rëndësishmet që pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi më 2006, është më i paparashikueshëm se më parë. Analisti Milosh Beshiç thotë për DW se një nga faktorët kryesorë deri tani ka qenë dalja në votime. Kur ajo ka qenë e ulët, partia në pushtet ka fituar lehtë, por kur ajo ishte mbi 70%, ishte e paqartë, shpjegon ai. „Kësaj radhe mund të ndodhë që votuesit e DPS (në pushtet) të abstenojnë dhe opozitarët të dalin në numër më të madh”.
Të ngjashme
Të tjera nga AT Balkani
E-Diaspora
-
Bolonjë: Kapet shqiptari me 1 kg kokainë Mësohet se një operacion rutinë i karabinierëve në lagjen Navile të Bolonjës ka çuar në arrestimin...
-
“Kosova in Berlin – Edicioni i Dytë 2025”
-
Pas një incidenti, 14 vjeçarja shqiptare humb jetën në këtë shtet
-
Nxënësit nga diaspora në shtetin gjerman mbyllin vitin shkollor me një eksursion në Nürnberg
-
Shqiptarja në mesin e pesë shkenctareve më të mira në këtë shtet
Jeta në Austri
-
Universitetet austriake duan rregulla më të rrepta për pranimin e studentëve të huaj Një rritje e ndjeshme e aplikimeve universitare nga shtetas të vendeve të treta ka bërë që...
-
Salzburg: Rrëzohet një aeroplan në pyll, shpërthen zjarri
-
Kreditë për shtëpi në Vjenë konsumojnë 53% të të ardhurave
-
Këta emigrantë përfitojnë më së shumti nga “AMS” në Austri
-
Austria pritet të përballet me një valë të nxehti