Lajme

Malazezët e kroatët me “hisen” e tyre në Kuvend

Njohja e dy komuniteteve të reja do t’ua hapë atyre rrugën për gëzimin e të drejtave kushtetuese që i gëzojnë edhe komunitetet e tjera

Njohja me ligj e statusit të komunitetit malazias dhe atij kroat pritet të prodhojë efekt të drejtpërdrejtë në Kushtetutën e Kosovës.

Këtë paralajmërim e ka bërë kryetari i Komisionit për ndryshime kushtetuese, Arsim Bajrami, tri javë pasi Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve, raportojnë mediat në Kosovë.

Me ligjin që është ende në fuqi, si pakica njihen vetëm komuniteti serb, boshnjak, turk, rom, ashkali dhe ai egjiptian.

Deputeti Arsim Bajrami, si njëri nga bashkëhartuesit e Kushtetutës, ka thënë se njohja e dy komuniteteve të reja do t’ua hapë atyre rrugën për gëzimin e të gjitha të drejtave kushtetuese që i gëzojnë edhe komunitetet e tjera. Para se gjithash këtyre komuniteteve, sipas tij, do t’u jepet mundësia për të deleguar përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Malazezve,Slobodan Vujiqiq, megjithatë nuk e fsheh pretendimin që malazezët t’ua marrin tri ulëse partive të komunitetit serb, të cilat me Kushtetutën e Pako të Ahtisaarit i kanë të garantuara 10 vende në Kuvend.