Lajme

Makolli: Zvicra dhe Kosova t’i qasen bashkërisht mërgatës

Makolli:Mërgimtarët në Zvicër janë qytetarët të përbashkët edhe të Kosovës, si vend i origjinës, e edhe të Zvicrës, ku jetojnë aktualisht

Për të biseduar për mundësit e bashkëpunimit për çështje të përbashkëta që kanë të bëjnë kryesisht me qasje ndaj mërgimtarëve kosovarë në Zvicër, ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, zhvilloi një takim me ambasadoren e Zvicrës në Prishtinë, Krystyna Marty.

Ministri Makolli, në këtë takim tha se mërgimtarët në Zvicër janë qytetarët të përbashkët edhe të Kosovës, si vend i origjinës, e edhe të Zvicrës, vend ku jetojnë aktualisht.

“Duke pas parasysh numrin e madh të mërgimtarëve kosovarë në Zvicër, mendojmë se është me rëndësi që atyre t’i qasemi bashkërisht. Ata duhet të kenë njohuri për vendin e origjinës, por jemi të interesuar që po ashtu të jenë qytetarë të integruar plotësisht në shoqërinë zvicerane”, tha Ministri Makolli.

Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës ka prioritete sa i përket mërgimtarëve, ndër të cilat: Ruajtjen e integritetit, përmes mësimit plotësues dhe aktiviteteve tjera edukative –arsimore, pastaj përkrahjen e integrimit të diasporës në vendet ku jetojnë, si dhe mbështetjen e mërgimtarëve që kanë kapacitet financiar që të investojnë në Kosovë, përmes Departamentit për Investime, që është i veçantë brenda Ministrisë së Diasporës, e që do të merret me monitorimin dhe mbrojtjen e investimeve që vijnë nga diaspora.

Ministri Ibrahim Makolli tha se përveç investimeve financiare, nga mërgimtarët tanë në Zvicër Kosova mund të përfitojë edhe në shprehitë e punës si dhe në aspekte të tjera, intelektuale, sportive etj.

Ambasadorja e Konfederatës së Zvicrës në Prishtinë, Krystyna Marty, tha se Zvicra do të vazhdoj të ndihmojë zhvillimin e Kosovës, dhe në këtë rast do të mbështes padyshim edhe politikat që kanë të bëjnë me mërgimtarët kosovarë që jetojnë në Zvicër.

Ajo tha se, kosovarët që jetojnë në Zvicër janë mjaftë mirë të integruar dhe tashmë po japin kontributin e tyre në shumë drejtime.

Ambsadorja ka përmendur projekte konkrete të mbështetura nga Drejtoria zvicerane për kooperim dhe zhvillim.

“Zvicra do të vazhdoj të mbështesë politika zhvillimore në Kosovë, si dhe do të inkurajoj pjesëtarë të diasporës kosovare që të vijnë dhe të investojnë në vendin e tyre të origjinës”, tha ambasadorja Marty, bëhet e ditur në një njoftim të Ministrisë së Diasporës.