Shkurt.ch

Makinat pa shofer pritet të lënë autoshkollat pa punë!

Pasi që vozitja do të bëhet e mundur ekskluzivisht përmes teknikës, provimi i vozitjes nuk do të jetë më i nevojshëm. Dhe kjo do të ketë pasoja për rreth 3500 instruktorë, sa janë në Zvicër

Në epokën e makinave pa shofer është e kuptueshme që nuk do të ketë nevojë as për patentë shoferi. Sipas asaj që shkruajnë gazetat e të dielës, “SonntagsZeitung” dhe “Le Matin Dimanche”, kjo është kumtuar në një konferencë të Federatës së instruktorëve të vozitjes të Zvicrës që është mbajtur ditë më parë. Autor i kësaj deklarate është Werner Jeger, zëvendësdrejtor i Zyrës Federale për Rrugët, transmeton albinfo.ch.

Pasi që vozitja e sigurt do të bëhet e mundur ekskluzivisht përmes teknikës, provimi i vozitjes nuk do të jetë më i nevojshëm. Dhe kjo do të ketë pasoja për rreth 3500 instruktorë, sa janë në Zvicër. Kjo dhe është arsyeja që qysh këtë vit do të bëhet një rishikim i profilit profesional të instruktorit, ka deklaruar Marco Matti nga Federata e Instruktorëve.

Me atë rast, në profilin e përpunuar  do të përfshihet edhe ngasja automatike e makinave. Sipas kësaj, instruktorët e “autoshkollave” të sotme do të shndërrohen në një lloj “Mobility Manager”. Ata, në vend se t`ua mësojnë vozitjen, do të kenë për detyrë t`i mësojnë nxënësit e tyre si t`u përmbahen rregullave të komunikacionit. Ata po ashtu pritet t`i animojnë nxënësit për të ngritur ndonjë bashkësi shoferësh.