Portrete të firmave

Mahagoni Küchen – 10 vite cilësi dhe krenari, “Made in Kosova” në Zvicër

Në 10-vjetorin e themelimit, albinfo.ch bisedoi me themeluesin e kompanisë, z. Mete Gashi, për rrugëtimin, sfidat, vlerat dhe vizionin e “Mahagoni Küchen”

Në dhjetë vitet e fundit, “Mahagoni Küchen” është shndërruar në një prej shembujve më të fuqishëm të suksesit të diasporës shqiptare në Zvicër. Me rrënjë prodhimi në Kosovë dhe me prezencë të konsoliduar në tregun zviceran e atë gjermanishtfolës, kompania ka thyer paragjykime, ka dëshmuar standard të lartë profesional dhe ka krijuar një markë që vlerësohet për cilësi dhe korrektësi. Me rastin e 10-vjetorit, albinfo.ch bisedoi me themeluesin e kompanisë, z. Mete Gashi, për rrugëtimin, sfidat, vlerat dhe vizionin e “Mahagoni Küchen”.

albinfo.ch: Z. Gashi, “Mahagoni Küchen” po shënon 10 vjet në tregun zviceran. Si e përjetoni këtë përvjetor dhe çfarë do të thotë për ju personalisht ky sukses?

Mete Gashi: “Për mua, ky 10-vjetor është shumë më tepër se një datë simbolike është përmbledhja e një rruge të gjatë, plot sfida, punë dhe përkushtim. Kur e themeluam Mahagonin në Zvicër, synimi im ishte të krijonim kuzhina cilësore, por edhe të thyheshin tabutë se nga Kosova nuk mund të vijnë produkte të këtij niveli.

Sot, kur shoh sa shumë familje na kanë besuar dhe sa i vlerësuar është brandi ynë në tregun zviceran, ky sukses është një shpërblim personal dhe i gjithë ekipit. Ky përvjetor dhe këta klientë të kënaqur na motivojnë të vazhdojmë me të njëjtin pasion edhe për vitet që vijnë. Është një ndjenjë mirënjohjeje, por edhe përgjegjësie për ta çuar Mahagonin edhe më lart.”

albinfo.ch: Në këto dhjetë vite, cilat do t’i veçonit si momentet më të rëndësishme në rrugëtimin e kompanisë?

Mete Gashi: “Pa dyshim hapja e pikës së parë të shitjes në Winterthur në vitin 2017 dhe më pas hapja e pikës së dytë në La Tour-de-Trême në vitin 2020.”

albinfo.ch: Kur ktheheni pas në kohë, cilat kanë qenë sfidat më të mëdha për një kompani që prodhon në Kosovë, por operon në tregun zviceran?

Mete Gashi: “Sfidat kanë qenë të shumta. Së pari besueshmëria – duhej t’i bindnim klientët zviceranë, por edhe shqiptarët, se produktet nga Kosova jo vetëm i plotësojnë standardet, por shpesh janë edhe më të mira. Së dyti logjistika – koordinimi mes prodhimit në Kosovë dhe montimeve në Zvicër kërkon organizim të përkryer, respektim të afateve dhe një ekip të sinkronizuar në të dyja anët.
Dhe natyrisht paragjykimi – shpesh zviceranët janë skeptikë ndaj produkteve që vijnë nga Kosova. Ne duhej ta ndryshonim këtë përmes profesionalizmit, pa lënë hapësirë për dyshime.”

albinfo.ch: Si ka ndryshuar perceptimi i klientëve zviceranë ndaj produkteve “Made in Kosovo” gjatë këtyre viteve?

Mete Gashi: “Sot produktet ‘Made in Kosovo’ gjenden kudo në Zvicër dhe pranueshmëria është vazhdimisht në rritje. Edhe statistikat e dy vendeve e dëshmojnë këtë. Mendoj se kompania jonë ka luajtur rol të rëndësishëm në ndryshimin e këtij perceptimi, duke motivuar edhe kompani të tjera të Kosovës të plasojnë produktet e tyre në tregun zviceran.”

albinfo.ch: Ju e keni përmendur shpesh “patriotizmin ekonomik”. Si e shihni sot rolin e diasporës në zhvillimin ekonomik të Kosovës?

Mete Gashi: “Patriotizmi ekonomik është i dukshëm kudo ku ka shqiptarë në Evropë. Por ne nuk duhet të ndalemi, pavarësisht vështirësive që prodhuesit në Kosovë i hasin çdo ditë. Fatkeqësisht, politika në Kosovë ende nuk ka ofruar mbështetjen e nevojshme për prodhuesit – si shkollat profesionale, subvencionimin e lëndës së parë, mbështetje në logjistikë dhe teknologji – për të cilat konkurrentët tanë në vendet fqinje tashmë përfitojnë.”

albinfo.ch: Sa e rëndësishme është për ju që përmes “Mahagoni”-t të kontribuoni në krijimin e vendeve të punës në Kosovë?

Mete Gashi: “Kompania Mahagoni në vitet 2026–27 do të përfundojë fabrikën e re me mbi 10.000 m² hapësirë prodhimi. Kjo do të rrisë kapacitetin dhe fuqinë punëtore me mbi 50%. Bashkëpunëtorët tanë aktualë, por edhe ata që do t’i bashkohen kompanisë, do të kenë kushte edhe më të mira pune.”

albinfo.ch: Cili është sekreti i suksesit të kompanisë suaj? Cilat janë vlerat që e kanë mbajtur “Mahagoni”-n të qëndrueshme dhe të besueshme në treg?

Mete Gashi: “Jam i shkurtër në përgjigje: kualiteti dhe korrektësia. Këto dy parime nuk i kemi lëkundur asnjëherë.”

albinfo.ch: Përveç tregut zviceran, a keni plane për zgjerim në vende të tjera europiane apo për ndërtimin e një marke ndërkombëtare “Mahagoni”?

Mete Gashi: “Mahagoni i plason produktet e saj në të tre shtetet gjermanofolëse:
në Zvicër përmes dy pikave tona në Winterthur dhe La Tour-de-Trême,
në Austri përmes pikës sonë në Vjenë,
dhe në Gjermani përmes dy agjentëve në München dhe Stuttgart.
Rreth 80% të prodhimit tonë e eksportojmë, çka tregon qartë pozicionimin tonë ndërkombëtar.”

albinfo.ch: Në një dekadë punë, keni përjetuar shumë momente njerëzore dhe profesionale. A mund të ndani një histori simbolike nga ky rrugëtim?

Mete Gashi:“Janë shumë, por më të bukurat janë ato kur klientët e kënaqur na dhurojnë ndonjë pikturë, skulpturë, vizatim apo letër falënderimi të bërë vetë. Ato momente me ngarkesë emocionale më japin kënaqësi të veçantë.”

albinfo.ch: Si e shihni të ardhmen e kompanisë pas 10 viteve të tjera? Cili është vizioni për dekadën e ardhshme?

Mete Gashi: “E ardhmja e Mahagonit është e ndritur dhe e qartë. Po investojmë shumë në resurset njerëzore – qoftë brenda familjes sonë, që çdo ditë rritet, por edhe tek gjeneratat e dyta e të treta të kolegëve tanë, ku tashmë punojnë edhe fëmijët e tyre. Kjo është një dëshmi e fortë se jemi në rrugën e duhur për të ardhmen.”

Foto: https://www.mahagoni-kuechen.ch

Lexoni po ashtu:

“Mahagoni”, një tregim suksesi i vëllezërve Gashi në Zvicër 

Lexoni po ashtu:

“Mahagoni” bind zviceranët se edhe në Kosovë punohet me përkushtim