Integrimi

“Mahagoni”, një tregim suksesi i vëllezërve Gashi në Zvicër 

Vëllezërit ndërmarrës Zeqë, Metë, Valdet, Veton dhe Valon Gashi janë bërë të njohur me  kompaninë e tyre “Mahagoni”, me bazë prodhimi në Kosovë që prej afro 50 vitesh në sektorin e prodhimit të produkteve të drurit 

“Mahagoni” është një shembull i mirë i suksesit i cili dëshmon se puna e palodhshme, por edhe guximi për investim në realizimin e ideve shpaguhen. 

Kur vëllezërit Metë dhe Valdet Gashi erdhën nga Austria në Zvicër në vitin 2014, ata sollën me vete vullnet të madh pune, por edhe plane dhe ëndrra. 

Në vitin 2015, me iniciativën e tij, Metë Gashi së bashku me vëllezërit Valdetin dhe Vetonin sjell në tregun zviceran kompaninë “Mahagoni GmbH”. Me punë dhe disiplinë të madhe, por edhe me cilësi të lartë të shërbimeve, kjo kompani, pas showrooom-it në Winterthur u zgjerua me projekte edhe në pjesën frankofone të  Zvicrës, ku, në vitin 2020 hapi dhe Showroom-in e dytë, në Bulle, Kantoni i Friburgut. 

Në intervistën në vazhdim, lexuesit mund të mësojnë më shumë për punën dhe sukseset e tyre gjatë këtyre viteve. 

Albinfo.ch: Jeni tre vëllezër dhe i keni përgjegjësitë e ndara. Si funksionon biznesi i vëllezërve Gashi? Cilat janë vështirësitë dhe cilat probleme provoni t`i zgjidhni ju si vëllezër? 

Vetoni: Mendoj se çdo njeri që vjen në një vend të huaj ballafaqohet fillimisht me paragjykime të ndryshme. Të njëjtin fat e kemi pasur dhe ne, sidomos duke sjellë në një treg “delikat’’ sikur Zvicra një produkt siç janë kuzhinat, me të cilat tregu i këtushëm kryesisht është furnizuar nga shtetet e perëndimit ose nga vet tregu i brendshëm zviceran. Dhe, kur dihet se kuzhina trajtohet si këndi më i rëndësishëm i shtëpisë, sigurisht që klientët hezitojnë të marrin një produkt me përplot të panjohura për ta. Kjo ka qenë sfida më e madhe deri sa e kemi krijuar besueshmërinë tek ta, kështu duke krijuar rrjetin dhe klientët tanë besnik, të cilët më pastaj na kanë rekomanduar dhe tek të tjerët. 

Albinfo.ch: Cili shet më shumë e cili më pak? 

Vetoni: Duke parë historikun e MAHAGONI GmbH që tanimë ka mbushur 8 vite në treg, sigurisht që ka një potencial më të madh shitjeje. Mirëpo është shumë e rëndësishme që dhe MAHAGONI Cuisines SA ka filluar të krijojë rrjetin e tij të klientëve dhe ndërtuesve në Zvicrën frankofone, mund të them që është në një rrugë shumë të mirë duke e parë se si klientët janë shumë të kënaqur me punën dhe shërbimet që i ofrojmë. 

Albinfo.ch: A ekziston ndonjë konkurrencë mes jush? 

Vetoni: Sigurisht që jo, sepse MAHAGONI vazhdon të jetë një shtëpi e madhe ku të gjithë së bashku kemi të njëjtat qëllime, suksesin dhe të jemi lider në tregun zviceran me produktet tona. 

Albinfo.ch: Cili nga ju është më kritik dhe me më shumë kërkesa gjatë punës? 

Vetoni: Mund të them të gjithë jemi shumë autokritikë, sa i përket produktit final i cili kalon nëpër duart e Valdetit, që është përgjegjës për montazhet. Ky i fundit ndonjëherë është shumë i rreptë, mirëpo kjo na ndihmon shumë që të rrisim cilësinë e produktit. 

Albinfo.ch: Cilat veti ju dallojnë nga njëri tjetri? 

Vetoni: Hahaha. Secilin nga ne mund ta përshkruaj me vetëm nga një fjalë. Meta = Strategu i kompanisë, unë = Estetika, Valdeti = Motori i kompanisë. 

Albinfo.ch: Cili është projekti më prestigjioz i kësaj kompanie ? 

Vetoni: Së fundmi kemi një projekt prej disa vilave në Pallma de Majorka te Spanjës, dhe për momentin jemi duke e bërë mobilimin e njërës nga vilat, ku jemi të mandatuar, t`i punojmë, që nga dizajni i brendshëm dhe mobilimi i gjithë shtëpisë, duke filluar nga dyshemeja që e kemi fabrikuar enkas për atë vilë, pastaj veshja e plafonit me dru bungu të vjetër më shumë se 100 vite që vjen direkt nga Kosova falë koleksionit tonë të drurit të vjetër që e mbledhim ndër vite anembanë Kosovës. Pastaj duke vazhduar në mobilimin me orendi në të gjithë shtëpinë  prej 230m2, duke filluar nga dyert e dhomave, banjat, dhomat e gjumit, dhomat e ditës si dhe kuzhina, të gjitha këto e mbajnë vulën e kompanisë sonë. Jemi në përfundim e sipër të kësaj vile, dhe po sa të përfundohet do t`i publikojmë fotot nëpër rrjetet tona sociale.  

Albinfo.ch: A keni ndonjë bashkëpunim me kompani të shqiptarëve në Zvicër që kanë shtëpi/banesa, të cilat i ndërtojnë dhe më pas i shesin? 

Vetoni: Mund të themi që nga bashkëpunëtorët më të mirë që kemi janë ndërtuesit shqiptarë, ku kemi bashkëpunim të shkëlqyer ndër vite. Vlen te theksohet që investitorët shqiptarë po ashtu kanë kërkesa shumë të larta kur bëhet fjalë për kualitetin.