Integrimi

Lulzim Fejzullahu kandidon për Asamblenë e Ebensee-së

Lulzimi, nga një refugjat ekonomik me 2003 që ishte, i cili kërkonte një punë të rëndomtë, shumë shpejt arriti suksese të jashtëzakonshme, duke u bërë mësues pranë BFI-s, menaxher dhe pronar hoteli

Të dielën me 27 shtator do të mbahen zgjedhjet në Landin e Austrisë së Epërme. Në këto zgjedhje përpos Kryetarit dhe Parlamentit të Landit, do të zgjidhen edhe Kryetarët e Komunave dhe Asambletë e tyre. Afër 25 mijë shqiptarë jetojnë në këto hapësira, sipas statistikave të nxjerra nga një hulumtim i JKU-s.

Edhe komuniteti shqiptar sidomos gjenerata e dytë ka arritur të shkollohet dhe të ketë pretendime serioze për të marrë përgjegjësinë, siç ishte rasti me zgjedhjet e kaluara Parlamentare kur kandiduan një numër i madh i shqiptarëve të kësaj gjenerate. Edhe kësaj radhe kemi kandidat shqiptarë, por tani edhe nga gjenerata e parë. Ky shkrim i dedikohet shqiptarit të gjenerates së parë kandidatit nga SPÖ Lulzim Fejzullahut, i cili vjen nga Komuna e Klinës.
Kush është Lulzim Fejzullahu?

Lulzimi është një afarist i suksesshëm dhe politikan i ri shqiptaro-austriak që jeton në Ebensee të Austrisë. Ai është bërë shumë i njohur në këto anë jo vetëm me kandidimin e tij politik, por edhe me aftësitë e tij menaxhuese dhe integruese. Lulzimi, nga një refugjat ekonomik me 2003 që ishte, i cili kërkonte një punë të rëndomtë, shumë shpejt arriti suksese të jashtëzakonshme, duke u bërë mësues pranë BFI-s, menaxher dhe pronar hoteli. Tani ai është kandidat serioz për tu zgjedhur edhe asamblist komunal. Kryetari aktual i kësaj Komune Z. Markus Siller tregon së Lulzimi është një kandidat me gjasa të mëdha. Siller thotë se, ai do të votohet edhe nga austriakët, pasi është shumë i dashur dhi respektuar.
Zakonisht Partia Socialiste dhe Partia e Gjelbër kanë përfshirë gjithnjë në gjirin e tyre edhe emigrant shqiptarë për kandidat në Parlamentin vendas apo Asambletë Komunale, por në vitet e fundit edhe Partia Popullore është mjaft aktive në ketë drejtim.

Vetëm me punë mund ta ndërtojmë të ardhmen!

Partia Socialiste e Austrisë (SPÖ) është partia ku Lulzimi e gjen  veten mirë për të shpalosur idetë dhe ka hapësirën e mjaftueshme për të punuar. Lulzimi thotë se në komunën e tij jeton një numër i vogël i shqiptarëve, të cilëve ju kërkon votën dhe u premton një angazhim me tërë energjinë e tij në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve. Ashtu sikurse Kryetari i Ebensee-s edhe Lulzimi shpreson shumë që do të mund të fitojë një ulëse në Asamblenë e kësaj Komune, pasi ai thotë që ka një rreth të gjerë të miqve austriakë, të cilët do ta votojnë. Nuk i ka munguar reklamimi në mediet lokale austriake, i cili është përkrahur nga partia e tij SPÖ.
Lulzimi thekson se është një fitore edhe për komunitetin shqiptar kur shikon se përkrah politikanëve vendas për kandidim ka edhe kandidatë shqiptarë. NI pyetur se çka e shtyri të kandidojë për Partinë Socialiste, ai thotë se ishte programi i kësaj partie që e bindi më shumë për të kandiduar me këtë parti. E ka bindjen e plotë se SPÖ është e vetmja forcë politike që ka mbrojtur dhe mbron të drejtat e emigrantëve në integrimin e tyre, pasi që ai personalisht dikur ishte vetë një emigrant. Ai thotë, se ky kandidim është nder dhe një vlerësim i madh që i bëhet atij, duke e bërë edhe më të fortë se kurrë në këtë garë politike.
Lulzimi thotë se edhe pse shqiptarët nga Linzi dhe rrethina nuk do të mund ta votojnë, ai u preferon atyre që të marrin guximin për një angazhim më të madh në politikë. “Ne shqiptarët duhet të jemi më të unifikuar dhe më të koordinuar në mënyrë që komuniteti jonë të ketë zërin e tij. Vetëm me punë dhe angazhim mund ta ndërtojmë të ardhmen tonë”.

Mesazhi i Lulzimit për shqiptarët është që të gjithë ata që kanë drejtë vote ta shfrytëzojnë këtë mundësi, ti votojnë të preferuarit e tyre, sepse ky është rregull i demokracisë, të dielën me 27.09.2015 mos mungoni por dilni e votoni, thotë Lulzimi.