Kosova
Lokalet e natës në Prishtinë mund të mbyllen
Institucionet e Kosovës janë duke e shqyrtuar mundësinë e ndaljes së përkohshme të veprimtarisë së klubeve të natës, në të cilat ka më së shumti frekuentim nga ana e qytetarëve. Komiteti Koordinues dhe Vlerësues po e vëzhgon situatën dhe së shpejti pritet të merret vendim nëse veprimtaria që zhvillohet kryesisht në Prishtinë të ndalet përkohësisht
Lokaleve të natës, në të cilat organizohen mbrëmje muzikore, së shpejti mund t’u ndalohet përkohësisht kjo veprimtari.
Kjo do të bëhet për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, i cili deri më tani në gjithë botën ua ka marrë jetën më shumë se 4 mijë personave.
Komiteti Koordinues dhe Vlerësues në takimin që ka mbajtur të hënën, ka diskutuar rreth masave të nevojshme, të cilat duhet të ndërmerren për t’u mbrojtur nga përhapja e koronavirusit.
Express mëson se në këtë takim është diskutuar edhe mbyllja e përkohshme e lokaleve të natës, si masë mbrojtëse të përhapjes së virusit.
“E dimë se rreziku më i madh për përhapjen e koronavirusit është në vendet ku ka frekuentim më të madh nga qytetarët. Andaj Komiteti është duke e shqyrtuar mundësinë dhe duke biseduar rreth hapave që do të merren për parandalimin e përhapjes së virusit”, ka thënë për Express një nga anëtarët e Komitetit.
Por, Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës ende nuk ka marrë ndonjë kërkesë për anulim të mbrëmjeve muzikore, nga ana e institucioneve të Kosovës.
Këtë e ka thënë anëtari i kryesisë së kësaj shoqate, Shpat Hashani.
Megjithatë, ai ka theksuar se bizneset janë të gatshme të bashkëpunojnë nëse institucionet marrin vendimin që të pushojë përkohësisht puna e lokaleve të natës.
“Për momentin as ne nuk jemi në dijeni, besoj se do duhej të kemi një takim me ndonjë grup punues të qeverisë dhe të marrim ndonjë vendim sepse kjo është në interes të të gjithëve. S’kemi asgjë konkrete që të dimë se si të veprojmë. Nuk ka kërkuar askush të ndalohet puna e lokaleve deri më tani. Është mirë të parandalohet, por s’mund të bëjmë diçka që mund të ketë pasoja tek bizneset, të paktën pa u konfirmuar”, ka thënë Hashani.
Ai ka shtuar se edhe qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm, pasi sipas tij, edhe nëse nuk lëshohet muzikë nëpër lokale, ata prapë do t’i frekuentojnë.
“Pa e pasur një takim ne në shoqatë edhe me Odën Ekonomike që mos me marrë vendime të ngutshme. Por, edhe nëse nuk organizohen mbrëmje me muzikë, njerëzit kanë me dalë, nuk varet prej neve, por prej qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm në raste të tilla”, ka thënë Hashani.
E në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, sot janë paraqitur gjashtë raste të reja të dyshuara për koronavirus, duke bërë që numri të shkojë në tetë.
Këtë e ka konfirmuar drejtoresha e Klinikës Infektive, Lendita Ajvazi-Berisha.
“Ne momentalisht në klinikë i kemi hospitalizuar gjashtë pacientë. Për momentin nuk ka nevojë për shqetësime”, ka thënë ajo.
Express merr vesh se personat që dyshohet të jenë të prekur me koronavirus kanë ardhur në Kosovë nga Zvicra, Anglia dhe Maqedonia.
Po ashtu, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami, sot do të takohet me drejtorët komunalë për të diskutuar rreth masave mbrojtëse që do të ndërmerren për mbrojtje nga përhapja e koronavirusit.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express ministrja Bajrami, e cila ka deklaruar se takimi do të mbahet për të biseduar rreth implementimit të planit të veprimit dhe për ndërmarrjen e masave kundër koronavirusit.
“Takimi është thirrur për të biseduar për implementimin e planit të veprimit për masat preventive kundër koronavirusit”, ka thënë Bajrami.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të hënën në një konferencë për media, pas takimit me Komitetin Koordinues dhe Vlerësues për situatën epidemiologjike, ka deklaruar se deri më tani në Kosovë nuk është asnjë rast i konfirmuar me koronavirus.
Ai shtoi se Ministria e Shëndetësisë planifikon të shpenzojë 10 milionë e 13 mijë e 295 euro, për të zhvilluar aktivitetet dhe planet rreth parandalimit apo trajtimit të virusit për të prekurit eventual në Kosovë.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Kosova dhe Shqipëria në krye të kërkesave për bashkim familjar në Gjermani Pavarësisht shtrëngimit të politikave të imigracionit në Gjermani, qytetarët nga Kosova dhe Shqipëria mbeten ndër aplikuesit... -
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë -
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi” -
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve
Jeta në Austri
-
Ekspertët kosovarë që shkëlqejnë në Evropë: Dr. MDSc Genc Zenunaj pjesë e rastit të parë “Guided Quad Zygoma” LUMC, Holandë Në Departamentin e Kirurgjisë Maksillofaciale në LUMC u krye me sukses ndërhyrja e parë “Guided Quad... -
Vjenë: Procesi i votimit në ambasadë po vazhdon në mënyrë të rregullt -
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri -
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026












