Kosova

Lexim letrar me Shqipe Sylejmani dhe Fatbardh Kqiku në Literaturhaus Cyrih

Mbrëmje letrare me Shqipe Sylejmani dhe Fatbardh Kqiku në Literaturhaus Cyrih

Literaturhaus Cyrih do të jetë nikoqir i një mbrëmjeje të veçantë letrare më 19 janar, ku para publikut do të prezantohen dy autorë me prejardhje nga Kosova: Shqipe Sylejmani dhe Fatbardh Kqiku, shkruan albinfo.ch.

Shqipe Sylejmani do të prezantojë librin e saj më të ri “Stolz und Widerstand. Geschichten zweier Welten” (Krenari dhe Rezistencë. Tregime nga dy botë), botuar në vitin 2025. Vepra sjell histori që prekin përvojat e jetës mes dy realiteteve kulturore, duke trajtuar temat e identitetit, përkatësisë dhe qëndresës personale.

Ndërkaq, Fatbardh Kqiku është autor i vëllimit poetik “zwischen den rissen” dhe aktualisht është duke punuar në romanin e tij të parë. Gjatë mbrëmjes letrare, ai do të lexojë fragmente nga ky projekt në zhvillim.

Të dy autorët janë lindur në Kosovë dhe, si fëmijë, janë shpërngulur me familjet e tyre, respektivisht në Zvicër dhe në Gjermani. Në tekstet e tyre ata trajtojnë përvoja biografike, ndërtimin e urave mes largimit dhe mbërritjes, si dhe lidhjet ndërmjet brezave.

Leximi letrar do të fokusohet në temat e largimit dhe ardhjes, identitetit dhe afërsisë, duke ofruar një reflektim të thellë mbi përvojën e migrimit dhe jetesës mes dy botëve kulturore.

Ngjarja do të mbahet më 19 janar, duke filluar nga ora 19:30, në Literaturhaus Zürich. Biletat janë ende në dispozicion dhe mund të sigurohen përmes faqes zyrtare të Literaturhaus Zürich ose drejtpërdrejt në bibliotekë. /Albinfo.ch