CH-Ballkani

Learta Jakupi: Gjithmonë e gatshme të kontribuoj për humanizëm

Fondacioni “Action for Mothers and Children” për herë të tretë organizoi mbrëmje humanitare në Cyrih “Shpëto një jetë” në ndihmë të nënave dhe fëmijëve në Kosovë. Gjatë kësaj mbrëmje u grumbulluan rreth 24 mijë franga zvicerane. Këtë mbrëmje e madhështoi më zërin e saj, sopranoja Learta Jakupi. Pas këtij eventi humanitar, “albinfo.ch” realizoi një intervistë me Leartën, të cilën mund ta lexoni në vijim.

albinfo.ch: Muajin e kaluar bashkë me bendin „String String“, performuat në Zvicër në mbrëmjen e bamirësisë „Shpëto një jetë“, ku u grumbulluan afër 24 mijë franga. Një shumë jo edhe e vogël për t`u grumbulluar për një mbrëmje të vetme. Ju si e përjetuat këtë mbrëmje?

Learta Jakupi: Me shumë kënaqësi pranova ftesën nga organizatorët që të performoj në mbrëmjen humanitare “Shpëto një jetë”. Për mua ishte një eksperiencë e veçantë dhe shpresoj të mblidhemi sa më shpesh në evente të tilla humanitare, në mënyrë që të kontribuojmë sa më shumë për komunitetin tonë.

Këto para janë grumbulluar për t’u dalë në ndihmë nënave dhe fëmijëve në nevojë në Kosovë. Për Ju si nënë, çfarë ndjenje është të kontribuoni për nënat dhe fëmijët nevojtarë?

Si nënë jam shumë e ndieshme në këto raste dhe mundohem të jap dhe unë kontributin tim. Por duhet pasur parasysh se si person i vetëm është e vështirë, prandaj organizimet e tilla si kjo nga @amckosovo ku u mblodhën aq shumë njerëz të vullnetit të mirë, e bëjnë të mundur dhe më të lehtë për të gjithë ne, që me ato të holla t`u vijmë në ndihmë nënave dhe fëmijëve në Kosovë.

Meqë ishte hera e parë që performuat para publikut shqiptar në Zvicër, si ju priti publiku?

Ndonëse ishte hera e parë e prezantimit tim para publikut shqiptar në Zvicër, ai më priti jashtëzakonisht mirë. Aq më tepër kur dihej qëllimi i aktivitetit, kjo për mua ishte kënaqësi e dyfishtë. Jam e gatshme të jap kontributin tim humanitar sa herë që do ta kërkojnë nga unë.

Learta, për dallim nga shumë këngëtare të reja që këndojnë në zhanre të ndryshme, ju keni zgjedhur muzikën klasike dhe sot jeni soprano. Profesion ndoshta jo shumë fitimprurës por sigurisht me vlerë të madhe. Pse keni vendosur të studioni për muzikë, dhe pse pikërisht këtë zhanër?

Është e vërtetë, por kur e bën diçka me pasion, nuk e mendon anën fitimprurëse. Por, për fatin tim të mirë kam dhe biznesin tim privat bashkë me Kushtrimin, i cili më ndihmon dhe më përkrahë në çdo hap. Ndërsa sa i përket muzikës, ndihem me fat që këndoj në zhanrin që mua më pëlqen, pa pasur nevojë të ndryshoj për faktorë të ndryshëm.

Kënga më e re në bashkëpunim me të mirënjohurën Shyhrete Behlulin „Për ty Nexhmije“ kushtuar doajenes së këngës shqiptare, Nexhmije Pagarusha është duke u pritur shumë mirë nga publiku. A e keni pritur këtë sukses?

Jam e lumtur që kënga jonë “Për ty Nexhmije” u prit shumë mirë nga publiku. Kjo u vërejt edhe në manifestimin e ditëlindjes së saj, ku të gjithë të pranishmit e pëlqyen dhe e përcollën me shumë duartrokitje, ndërsa vet znj. Nexhmije, me shumë emocione.

Si lindi bashkëpunimi për këtë këngë dhe si arritët ta bindni zonjën Nexhmije të jetë në klipin tuaj?

Me mamin (v.j. Shyhrete Behlulin) kishim menduar prej kohësh për një bashkëpunim të mundshëm, por ideja konkretisht për këngën ka ardhur nga autorja, znj. Nexhmije Muhaxheri. Kur kontaktuam me të madhen Nexhmije Pagarusha, asaj i pëlqeu shumë ideja dhe me shumë kënaqësi pranoi të jetë pjesë e videoklipit.

Ne e dimë që ju vini nga një familje e njohur dhe e suksesshme në mjekësi. Ju më herët keni jetuar në Gjermani. Pse patët vendosur të largoheni nga Gjermania?

Unë jam e lindur dhe rritur në Gjermani, ndërsa në vitin 2003 familja ime është kthyer në Kosovë, me idenë që dijen dhe përvojën në lëmin e mjekësisë të marrë nga Gjermania ta aplikojmë tek njerëzit tanë.

Sa e keni pasur të vështirë ambientimin në Kosovë dhe a të mungon diçka nga Gjermania ku ke kaluar një pjesë të fëmijërisë?

Për fat jam ambientuar shumë mirë në Kosovë dhe jam shume mirënjohëse ndaj prindërve, me të cilët shumë herë brenda vitit kemi vizituar Kosovën, e cila për ne ka qenë shumë e afërt.

Në Kosovë ju udhëheqni edhe disa biznese. Në të ardhmen më shumë do të doje të njihesh në publik si një grua afariste apo si një soprano e mirënjohur shqiptare.

Mund të thuhet se puna edhe muzika e përmbushin përditshmërinë dhe e plotësojnë jetën time, dhe besoj se do vazhdoj kështu edhe në të ardhmen.

Profesioni dhe pasioni

“Kur e bën diçka me pasion, nuk e mendon anën fitimprurëse. Por, për fatin tim të mirë kam dhe biznesin tim privat bashkë me Kushtrimin, i cili më ndihmon dhe më përkrahë në çdo hap. Ndërsa sa i përket muzikës, ndihem me fat që këndoj në zhanrin që mua më pëlqen, pa pasur nevojë të ndryshoj¨d për faktorë të ndryshëm. 

E lindur në Gjermani, e kthyer për të jetuar në Kosovë

Unë jam e lindur dhe rritur në Gjermani, ndërsa në vitin 2003 familja ime është kthyer në Kosovë, me idenë që dijen dhe përvojën në lëmin e mjekësisë të marrë nga Gjermania ta aplikojmë tek njerëzit tanë. Për fat jam ambientuar shumë mirë në Kosovë dhe jam shume mirënjohëse ndaj prindërve, me të cilët shumë herë brenda vitit kemi vizituar Kosovën, e cila për ne ka qenë shumë e afërt.  

 

Fotot: Rromir Imami