Kosova

LDK-ja vendos sot për të ardhmen e udhëheqjes së partisë

Delegatët votojnë për besimin ndaj kryetarit, ndërsa rezultati pritet të ndikojë edhe në procesin e formimit të institucioneve të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mban sot Kuvendin e jashtëzakonshëm, ku 355 delegatë do të vendosin me votë për të ardhmen e udhëheqjes së partisë. Mbledhja pritet të nisë në orën 18:00 dhe do të përcaktojë nëse kryetari aktual do të vazhdojë të drejtojë partinë apo do të shkarkohet, përcjell albinfo.ch.

Kuvendi është thirrur pas kërkesës së më shumë se një të tretës së delegatëve, në përputhje me Statutin e LDK-së.

Një ditë para mbajtjes së Kuvendit, LDK-ja reagoi ndaj raportimeve për presion të ushtruar mbi delegatët, duke dënuar çdo përpjekje për të ndikuar në vullnetin e tyre.

Në reagimin e partisë thuhet se pretendimet për kërcënime ndaj një delegati, të lidhura me vendin e punës së një anëtari të familjes së tij, përbëjnë sjellje të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat, Statutin e LDK-së dhe ligjin.

Partia njoftoi se do të nisë procedura disiplinore ndaj personave që mund të jenë përfshirë në këtë rast, ndërsa u bëri thirrje edhe organeve të drejtësisë, në veçanti Prokurorisë, të hetojnë rrethanat dhe të vendosin përgjegjësi ligjore nëse konstatohen elemente të veprave penale.

Përplasjet brenda LDK-së nisën pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, ku partia siguroi 16.7 për qind të votave. Më pas, disa degë të partisë, përfshirë ato në Pejë, Lipjan dhe Degën e Dytë në Prishtinë, kërkuan dorëheqjen e kryetarit.

Pas refuzimit të kësaj kërkese, në fillim të korrikut nisi mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, të cilat u dorëzuan në mes të muajit.

Rezultati i votimit të sotëm pritet të ketë ndikim edhe në zhvillimet politike në vend. Nëse kryetari aktual e merr besimin e delegatëve, LDK-ja pritet t’u rikthehet negociatave për formimin e institucioneve, ndërsa seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet më 6 gusht. /Albinfo.ch