Latifi: Presidenti Rugova, simbol i paqes dhe i pavarësisë së Kosovës
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Zvicër ka mbledhur në një akademi përkujtimore, të shtunën mbrëma, në Sursee të Lucernit anëtarë dhe aktivistë të saj për të nderuar veprën e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.
Në këtë akademi përkujtimore, në pesëvjetorin e vdekjes së ish-presidentit Rugova, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Mehmet Elezi, si dhe përfaqësues të partive të tjera politike që veprojnë në Zvicër.
Mehmet Elezi
Rugova është quajtur simbol i paqes dhe i pavarësisë së Kosovës, si vizionar politik dhe burrështetas i veçantë, demokrat i kalibrit botëror dhe sendërtues i synimeve të popullit shqiptar.
Kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, Haki Latifi, në hapje të akademisë tha se Kosova pati fatin që në fillim të viteve ’90-ta të futet në politikë nga bota e dijes dhe ideve të Ibrahim Rugovës, që sipas Latifit, me vizionin dhe filozofinë e fuqishme Rugova u bë lideri i lëvizjes më të madhe të shqiptarëve për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Haki Latifi
Latifi para mysafirëve të mbledhur në këtë akademi tha se Rugova meriton vlerësim të veçantë për aftësinë e tij për të krijuar shumë miq të Kosovës e të pavarësisë së saj.
“Presidenti Rugova ishte burrë i madh i të gjitha kohëve për shqiptarët, ishte lidhja e dy shekujve për së gjalli. Shekulli që nisi luftën për lirinë e Kosovës dhe shekullin që ndërtoi lirinë dhe demokracinë e Kosovës, ishte vizionari i pavarësisë së Kosovës. E tërë filozofia politike e Dr. Rugovës ishte e ndërtuar në ruajtjen e qenies shqiptare në Kosovë që me vizionin e tij largpamës, me këmbëngulje, me guxim dhe me trimëri bëri që Kosova të jetë emër i njohur në institucionet më të larta ndërkombëtare”, tha Latifi.
Sipas Latifit, shumë nga idetë e ish-presidentit Rugova tashmë janë realizuar ose janë duke u realizuar.
“Kërkesat parimore të Presidentit Rugova janë realizuar, si ajo për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës. Një Kosovë të pavarur, demokratike e paqësore, e integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka cituar ish-presidentin e ndjerë Latifi.
Po ashtu, kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, Haki Latifi, e vlerësoi lart rolin unifikues që kishte ish-presidenti Rugova.
“Dr. Ibrahim Rugova ka qenë forcë bashkuese dhe moderuese si dhe forcë unifikuese për Kosovën”, theksoi Latifi.
”Ai do të kujtohet si krijues i historisë së sotme dhe të nesërme të Kosovës”, shtoi Latifi
Bashkëpunimi i Degës së LDK-së në Zvicër me ish-kryetarin Rugova është thënë të ketë qenë i natyrshëm. Sipas Latifit, Dega e LDK-së në Zvicër ishte shtëpia e dytë e Rugovës, pas asaj në Prishtinë.
Edhe për ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Mehmet Elezi, ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, hyn në mesin e figurave më të shquara të historisë së Kosovës që solli kulturën e qëndresës paqësore duke e orientuar vendin e tij kah Evropa.
Mehmet Elezi
“Rugova bëri shumë përpjekje për unifikimin mbarëshqiptar, për të ndërtuar një Kosovë të integruar në strukturat evropiane dhe veriatlantike”
Adem Kica
Akademinë përkujtimore e mbylli aktori dhe regjisori Adem Kica, me një baladë kushtuar presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, si dhe Rrezarta Ademi me një interpretim në piano.
Të tjera nga
E-Diaspora
-
Dr. Përparim Limani në krye të Kirurgjisë Onkologjike në Aarau Një profil i lartë shkencor dhe klinik, që nga laboratorët e Cyrihut e deri te udhëheqja... -
Diaspora ka dërguar 310 milionë euro në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit të kaluar -
Merita Pinta, një zonjë e fortë, me shumë merita -
Majorja e Policisë së Kosovës diplomon nga Akademia Kombëtare e FBI-së -
Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025
Jeta në Austri
-
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja Strategjia e zbuluar e SHBA-së nën drejtimin e Trumpit e liston Austrinë midis vendeve që Uashingtoni... -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë











