Kosova

Kuvendi pritet të diskutojë për dialogun Kosovë-Serbi

AAK-ja tha se me këtë propozim PSD-ja po mundohet ta zbehë aktin e djeshëm, atë të liberalizimit të vizave.

 

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me kërkesën për mocion procedural, për t’u diskutuar dhe pastaj miratuar një rezolutë për dialogun, në të cilën do të kërkohet që kompetencat për dialog t’i ketë Kuvendi dhe jo presidenti. Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, shprehu shqetësimin për dialogun me Serbinë, duke thënë se institucionet e Kosovës po vazhdojnë dialogun pa strategji dhe pa vënien e vijave të kuqe për temat e panegociueshme. Ai kërkoi që të diskutohet sot në Kuvend për çështjen e dialogut. Propozimin e Ymerit e përkrahën deputetët nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca, tha se kjo do të jetë hera e fundit që do të votohen nismat e PSD-së, nëse këta nuk i ndërpresin deklaratat fyese ndaj partisë së tij. Nisma Socialdemokrate propozoi që ky debat të mbahet pas votimit të projektligjeve. Lidhur me urgjencën e propozimit të Ymerit u tall shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se çështja e dialogut nuk është aspak urgjente, sepse është diskutuar disa herë në Kuvend. AAK-ja tha se me këtë propozim PSD-ja po mundohet ta zbehë aktin e djeshëm, atë të liberalizimit të vizave. Lidhur me këtë çështje u deklarua kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili tha se duke pasur parasysh rëndësinë e temës, deputetët do të duhej të merrnin kohën e duhur për t’u përgatitur sa më mirë.

Me një pajtueshmëri ndërmjet grupeve parlamentare, ky mocion u vendos të votohet pas përfundimit të 15 pikave të mbetura nga seancat e kaluara.