Lajme

Kush e financon Lëvizjen BESA?

Mediet në Kosovë sot kanë botuar disa dokumente që bëjnë të dyshohet se Lëvizja BESA e Maqedonisë financohet nga organizata që kanë lidhje me shtetet islamike. Pasuria e këtyre organizatave është dhjetëra miliona euro

Subjekti më i ri politik në Maqedoni, Lëvizja BESA, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare siguroi 5 ulëse në Kuvend, financoheshka nga organizata islamike arabe. Mediet në Kosovës, sot kanë botuar disa dokumente që vërtetojnë, sipas tyre, se kjo organizatë ka lidhje me rrjetet islamike.

Me disa dokumente që ka botuar lajmi.net, tregohet se Lëvizja BESA, është e lidhur me një organizatë joqeveritare që ka deklaruar dhjetëra miliona euro.

Deri më tani, kjo lëvizje politike është akuzuar nga subjekte politike dhe individë se financohet me fonde të shteteve arabe, por mungesa e provave ka bërë që këto akuza të interpretohen si politikisht të orientuara, ndonëse vetë ky subjekt i ka hedhur poshtë kategorikisht akuzuat.

Por, disa dokumente zyrtare të Regjistrit Qendror të Maqedonisë që i ka siguruar ky portal kosovar, hedhin dritë mbi lidhjen e Lëvizjes BESA me një organizatë civile (fondacion) të regjistruar nën emrin “Qendra për Civilizim Islamik”, e cila, pranë institucioneve shtetërore, ka deklaruar pasuri marramendëse prej 45 milionë eurosh dhe gjithsej 796 të punësuar, dhe kjo vetëm në vitin 2010.

Po sipas këtyre dokumenteve, anëtarë dhe themelues të këtij fondacioni që është themeluar në vitin 2008, janë zyrtarë të lartë dhe deputetë të Lëvizjes BESA, fakt ky që e bën të padiskutueshme lidhjen mes këtyre dy subjekteve, transmeton lajmi.net.

Madje, edhe fillimi zyrtar me punë i fondacionit Qendra për Civilizim Islamik (viti 2013) përputhet me kohën kur përfaqësues të saj, që sot janë politikanë të Lëvizjes BESA, paralajmëruan nismën e re politike që dy vite me vonë do të kthehej në një parti që në Kuvendin e Maqedonisë do të përfaqësohet me 5 deputetë.

Po kush janë anëtarët dhe themeluesit e Qendrës për Civilizim Islamik dhe sa të ardhura ka regjistruar kjo organizatë vetëm në vitin 2010?

Sipas mediumit në fjalë, Zeqirija Ibrahimi, i punësuar në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore, aktualisht deputet i Lëvizjes BESA, dhe Adnan Ismaili, pronar i Shtëpisë Botuese Logos-A, janë dy prej pesë personave që besohet se e kanë themeluar Qendrën për Civilizim Islamik. Tre të tjerët janë edhe teologu Bajrambejamin Idrizi, teologu dhe përfaqësues i TIKA-s Sulejman Baki dhe Muhamed Jahja.

Por, kjo nuk është e gjitha.

Në vitin 2013 Qendra për Civilizim Islamik mbajti Kuvendin e I-rë dhe për kuvendarë caktohen teologë, gazetarë, profesorë e juristë, në mesin e të cilëve edhe Adnan Ismaili – themelues i Lëvizjes BESA, Ismail Sinani – kryeredaktor i TV Shenja, Afrim Gashi – deputet i Lëvizjes Besa, Zeqirija Ibrahimi – deputet i Lëvizjes BESA, Metin Izeti – teolog dhe ish-Sekretar i PDSH-së, Mirushe Hoxha – profesoreshë dhe ish-nënkryetare e PDSH-së, si dhe shumë të tjerë.

Qendra për Civilizim Islamik, ndërkaq sipas këtij mediumi, nuk e fsheh bashkëpunimin e saj me Shtetin e Katarit, shtetin më të pasur arab, biznesmenë, princër dhe sheikë të të cilit nuk e kanë për gjë të dhurojnë miliona.

“Duhet të kenë qenë po ato miliona me të cilat Qendra për Civilizim Islamik ka blerë edhe njërin prej objekteve më të vjetra osmane, për ta rinovuar më pas dhe kthyer në seli të kësaj organizate. E çuditshme që në hapjen e kësaj selie mysafir nderi do të ishte vetë presidenti Gjorge Ivanov, famëkeq për lidhjet e tij me VMRO-DPMNE-në”, citon ky medium.