Kosova

Kurti në Gjenevë: Do të triumfojmë ndaj qeverisjes aktuale autoritare në Kosovë

Për historinë e dhimbshme të shqiptarëve të Kosovës ka folur kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në punimet e Këshillit të Internacionales Socialiste, që po mbahet në selinë e OKB-së në Gjenevë.

Aty ai tha se Lëvizja Vetëvendosjes është opozita më e madhe në Kosovë, e orientuar majtas, që i kundërvihet qeverive neoliberale që kanë sunduar vendin në dy dekadat e fundit, përcjell albinfo.ch.

Kurti ka thënë se shqiptarët e Kosovës i kanë mbijetuar gjenocidit, andaj sipas tij, jo vetëm që do t’i mbijetojnë edhe qeverisjes aktuale autoritare në Kosovë, por edhe do të dalin fitimtarë.

Kjo fitore sipas tij, parasheh fundin e privatizimeve brutale e abuzive që kanë lënë shumë njerëz të papunë; rritje të pagës minimale e sigurisë në punë; luftim të korrupsionit; rishpërndarje të të ardhurave në mënyrë të drejtë përmes taksimit progresiv; arsim e shëndetësi cilësore e falas; shërbime më të mira dhe mirëqenie për çdo qytetarë.

Në Gjenevë, i pari i Vetëvendosjes ka folur edhe për njohjen e Kosovës nga 113 vende anëtare të OKB-së, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare në favor të pavarësisë së Kosovës, anëtarësimin në FMN, Bankën Botërore, e po ashtu në UEFA e FIFA.