Lajme

Kurti ndjehet fitues, fton LDK-në për formimin e Qeverisë së re

Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e dytë pas koalicionit PAN, Kurti në një konferencë për media i bëri thirrje LDK-së për formimin e Qeverisë së re. Por, LDK apriori kundërshton këtë thirrje

I nominuari i Lëvizjes Vetëvendosje për postin e kryeministrit, Albin Kurti i ka ftuar partitë politike që t’i fillojnë bisedimet me Vetëvendosjen, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Edhe pse LVV ka dalë partia e dytë pas ish komandantëve të UÇK-së, Kurti në një konferencë për media, ka thënë se vota e 11 qershorit ka treguar se qytetarët duan ndryshime, duke “ia ka mohuar” koalicionit fitues të zgjedhjeve të drejtën që ta formojë Qeverinë e re.

Vetëvendosje ka dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit si subjekti i dytë pas koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma. Por, Albin Kurti ka thënë se Vetëvendosja, si partia më e votuar, tashmë është e gatshme të marrë nën drejtim Qeverinë e re.

“Ata janë tkurrur shumë përkundër investimeve të jashtëzakonshme. Tash u pa se pse janë bërë koalicionet. Koalicionet janë bërë për të shpëtuar politikanë të veçantë, mirëpo nuk po i shpëtojnë dot as koalicionet. Fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje. Populli e do një Qeveri tonën”, tha Kurti.

​Sipas tij, Qeveria e re duhet të jetë Qeveri e ndryshimeve. Ai ka ftuar sidomos Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën që të ulen dhe bisedojnë me Vetëvendosjen për formimin e Qeverisë së re.

Po ashtu, Kurti ka thënë se një subjekt tjetër që mund t’i bashkohet këtij koalicioni është edhe partia Nisma për Kosovën, pakicat, si dhe deputetët veç e veç.

“Ne ftojmë të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK, AKR, Alternativa, si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK, AAK dhe NISMA që janë kundër vazhdimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të klanit ‘pronto’ që të na bashkohen në tryezë për të diskutuar për situatën e re politike në vend pas këtyre zgjedhjeve si dhe për programin politik të një Qeverie të re, të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Kurti, i cili e ka përjashtuar mundësinë që Vetëvendosje të heq dorë nga posti i kryeministrit, duke thënë se ndryshimet nuk mund të bëhen me emra e figura të kaluara politike.

Por, menjëherë pas apelit të Kurtit, ka dal me një deklaratë Lutfi Haziri, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo që ka dal e treta në këto zgjedhje. Ai tha se thirrja e Kurtit është e vonuar. “Mendoj që është e vonuar, është dashur të ndodhë dje”.

“Sot përkundër që është e vonuar është e mirëpritur, i takon të bëjë veprime të tilla, ne jemi unik me partnerët e koalicionit. Ne garantojmë që në raport me PDK-në, historia e partneritet është mbyllur”, tha Haziri, i cili nuk ka pranuar që të flasë nëse LDK e pranon Albin Kurtin si kryeministër. “Nuk mund të flasë se nuk e kemi diskutuar, nuk e ka kërkuar Vetëvendosja këtë”, tha ai.

Ndryshe, mbetet diskutabile mundësia Kushtetuese që Vetëvendosjes, si subjekti i dytë i dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, të mund ta formojë Qeverinë e re.

Sipas interpretimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese më 2014, rastin e parë për formimin e Qeverisë e fiton koalicioni apo partia politike që i fiton zgjedhjet. Kurse në rastin e dytë, shumëçka ka mbetur e pasqaruar.

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës. Më pas, presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Riza Smaka, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon që të formojë Qeverinë,  partia e dytë më e votuar, por vetëm e para.

“Nëse kandidati nga PAN nuk do të arrinte që të merrte votat për formimin e Qeverisë, atëherë presidenti i vendit Hashim Thaçi do të duhej të angazhonte një person tjetër nga PAN-i, në konformitet me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Smaka. Ai shtoi se nëse as në këtë rast nuk mund të gjendet zgjidhje, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi do të duhet të shpallte zgjedhje të tjera.

Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota).