CH-Ballkani

Kuka merr mbështetje të përhershme financiare nga Qeveria e Kosovës

Mbështetja e përhershme prej 800 eurosh i jepet Kukës, pas suksesit të madh që ka treguar me nxënësit e tij të cilët kanë korrë suksese të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare

Qeveria e Kosovës ka vendosur t’ia ndaj një pagë mujore në vlerë 800 euro trajnerit më të suksesshëm kosovar të Xhudos, por edhe të gjitha arteve të tjera marciale, Driton Kukës-Tonit. Kjo pagë i jepet Kukës, pas suksesit të madh që ka treguar me nxënësit e tij të cilët kanë korrë suksese të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare.

Vendimin për mbështetje të përhershme financiare ia ka dhënë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, i cili në bazë të “Rregullores qeveritare për Mbështetje të Përhershme Financiare të Sportistëve”. Vendimi sipas ministrit Shala, filluar nga data 1 tetor e këtij viti.

“Vendimi i ministrit Shala, vjen pas rekomandimit të Komitetit Olimpik të Kosovës për trajnerin Kuka i cili i ka përmbushur kushtet e parapara për të qenë përfitues i vlerës së 800 eurove në muaj. Arsyeshmëria për këtë përkrahje bazohet në rregulloren për mbështetje e përhershme të sportistëve që kanë fituar medalje në Lojërat Olimpike, në Kampionatet Botërore e Evropiane”, thuhet në njoftim.

Ministri Shala e ka uruar trajnerin e dëshmuar Driton Kuka, për mbështetjen e merituar që do ta merr nga ana e Ministrisë së Kulturës.

“Kjo përkrahje nga shteti vjen si dëshmi dhe njohje e meritave për ata që kontribuojnë në edukimin sportiv dhe ngritjen e cilësisë së sportit në vendin tonë. Me sukseset e tij, trajneri Kuka, është bërë pjesë dhe sukses i pashlyer i historisë së sportit. Puna dhe sukseset e arritura në xhudo kanë meritën e tij, dhe ato janë motivim e inkurajim për sportistët e rinj drejt sukseseve të mëdha”, u shpreh ministri.

Ndërkaq, trajneri Kuka e falënderoi ministrin Shala për marrjen e vendimit që ministria ta përkrah punën e tij.

“Kjo është një mirënjohje e kontributit që kemi dhënë për sportin e xhudos në Kosovës. Kjo është një nxitje për të punuar edhe më tutje me brezat e rinj dhe për të nxjerrë sportistë të rangut botëror”, tha Kuka, i cili është trajner i kampiones botërore dhe olimpike, Majlinda Kelmendi.