Lajme

Krystyna Marty Lang: “Ardhmëria varet nga ju”

Që prej emërimit të saj në postin e Ambasadores në Kosovë, Znja Marty Lang flet për herë të parë për ndonjë media, ajo flet për albinfo.ch.

“Diaspora kosovare në Zvicër luan një rol të rëndësishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të atdheut të saj. Ajo ka njohuri të nevojshme kulturore dhe gjuhësore që të mund të investojnë në Kosovë ” 

Albinfo.ch: Znj Ambasadore, çfarë dini për Kosovën?

Znj. Marty Lang: Ende shumë pak, fatkeqësisht. Jam qe katër javë këtu dhe çdo ditë po mësoj më tepër.

Albinfo.ch: Cili ka qene kontakti juaj i pare me një kosovar (ndonjë përshtypje)?

Znj. Marty Lang: Kontakti im i parë me një kosovar ishte me një zyrtar kufitar në kufirin Shqipëri – Kosovë. U impresionova nga mirësjellja e tij, kryerja korrekte dhe efikase e formaliteteve.

Albinfo.ch: Çfarë mund te presin kosovaret nga ju?

Znj. Marty Lang: Detyra ime si përfaqësuese e Zvicrës është t’i përfaqësoj interesat zvicerane. Këtu përfshihen kryesisht përpjekjet tona për ta përkrahur Kosovën në përpjekjet e saj në fushën ekonomike, çështjet e sigurisë dhe ndërtimit të paqes, por edhe në aspektin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit.

Albinfo.ch: Çfarë prisni ju nga kosovaret?

Znj. Marty Lang: Që të jenë të përkushtuar për avancimin e vendit të tyre dhe të angazhohen në mënyrë aktive për reformat e nevojshme.

Albinfo.ch: Deri tash keni qenë ndihmëse e parë e Ambasadorit te Zvicrës në Kinë. E konsideroni emërimin tuaj si Ambasadore në Kosove si fat apo një detyrë të radhës që duhët kryer?

Znj. Marty Lang: Emërimin tim si ambasadore e Zvicrës në Kosovë e konsideroj si një nder, pasi që Kosova është një vend mjaft i rëndësishëm për Zvicrën. Lidhjet e ngushta familjare në mes të shumë banorëve të të dyja vendeve kontribuojnë shumë për këtë.

Albinfo.ch: Sigurisht, Kosova nuk mund të krahasohet gati në asnjë drejtim me Kinën, por nga këndvështrimi juaj, cilën detyrë e konsideroni me të vështire për ju, Ambasadore ne Kosovë apo ndihmëse e parë e Ambasadorit në Kinë?

Znj. Marty Lang: Është gjithmonë e vështirë dhe ndonjëherë pothuajse e rrezikshme t’i krahasosh dy vende me njëri-tjetrin. Të dy misionet kanë sfida, me të cilat duhet ballafaquar.

Albinfo.ch: Si e shihni rolin e diasporës kosovare në Zvicër në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës ?

Znj. Marty Lang: Diaspora kosovare në Zvicër luan një rol të rëndësishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të atdheut të saj. Ajo ka njohuri të nevojshme kulturore dhe gjuhësore që të mund të investojnë në Kosovë. Por, për të qenë e suksesshme diasporës kosovare, sikurse edhe të gjithë investitorëve, i duhet një siguri e nevojshme ligjore,një shtet i shkathët, efikas dhe funksional dhe një mjedis i pakorruptuar.

Albinfo.ch: Si e shpjegoni faktin se ndërmarrjet zvicerane si dhe bankat zvicerane nuk janë aq prezent në Kosovë ? A ka interesim në këtë drejtim ?

Znj. Marty Lang: Ndërmarrjet zvicerane interesohen për vendet që kanë një shtet ligjor të qëndrueshëm, frytdhënës, në të cilin mundësohet jo fitimi afatshkurtër, por investimet afatgjata në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve për qytetarë, nga të cilat rrjedhin përfitime të larta dhe shumë cilësore.

Albinfo.ch: Cilat do të ishin udhëzimet e Zvicrës, vend me ekonomi të fuqishme, ndaj Qeverisë kosovare për hapat që do të duhej ndërmarrë për ta zhvilluar Kosovën ?

Znj. Marty Lang: Sigurisht që Zvicrës nuk i takon t’i japë udhëzime Kosovës. Çështja më shumë qëndron aty se në cilin drejtim dëshirojnë ta zhvillojnë vendin e tyre kosovaret dhe kosovarët dhe çka dëshirojnë t’u përcjellin/lënë në duar fëmijëve të tyre. Por, supozoj se gjeneratat e ardhshme do të dhurojnë një shtet ligjor funksional dhe demokratik, në të cilin jeton një popullatë e arsimuar, e cila mund të japë fryte për gjeneratën e ardhshme.

Albinfo.ch: A e lexoni Albinfo.ch dhe nëse po, një vlerësim tuajin?

Znj. Marty Lang: Po, unë i shfletoj rregullisht faqet e Albinfo.ch dhe e çmoj shumë këtë platformë informative. Artikujt tuaj për ekonomi, politikë dhe shoqëri më duken interesantë dhe informativë.

Jetëshkrimi i Krystyna Marty Lang

1986 – 1993 Studime në sinologji në Universitetin e Cyrihut

1993 -1994 asistente e drejtorit të Daewoo Securities, Cyrih

1994 – 1996 Delegate/e deleguar e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq

1996 – 2002 Bashkëpunëtore diplomatike pranë Departamentit Federal për Punë të Jashtme në Bernë

2002 -2007 Bashkëpunëtore e parë e Ambasadës së Zvicrës në Tashken, Usbekistan

2007 – 2009 Shefe e sektorit ekonomik dhe tregtar të Ambasadës së Zvcrës në Pekin, Republika Popullore e Kinës

2009 – 2011 Bashkëpunëtore e Parë e Ambasadës së Zvicrës në Pekin, Republika Popullore e Kinës

Që nga shtatori 2011 ambasadore e Zvicrës në Republikën e Kosovës.

Krystyna Marty Lang është e martuar dhe ka një djalë.