Lajme

Kryeprokurori kërkon hetimin e listave të veteranëve të UÇK-së

“Ky hetim nuk ka të bëjë me ata persona që kanë dhënë kontribut në UÇK, por ky hetim është i drejtuar ndaj atyre individëve që kanë kryer keqpërdorime eventuale duke dhënë dëshmi të rrejshme apo duke paraqitur dokumentacion fiktiv të falsifikuar për të përfituar statusin e veteranit të luftës”

Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi ka kërkuar nga prokuroria kompetente të iniciojë hetimet lidhur me ankesat për listat e veteranëve të UÇK-së

Kështu, siç thuhet në një njoftim për media nga Zyra e Kryeprokurorit, ai ka kërkuar nga prokuroria kompetente, “fillimin e grumbullimit të informatave të nevojshme për të përcaktuar nëse ka vend për inicimin formal të hetimeve, në lidhje me rastet individuale të keqpërdorimeve eventuale që kanë mundur të ndodhin gjatë hartimit të listave të veteranëve të UÇK-së”.

“Më pas varësisht nga grumbullimi i informatave do të përcaktohet nëse ka fakte për ndjekje penale ndaj personave përgjegjës dhe rrjedhimisht edhe për ngritje të aktakuzës”, thuhet në këtë njoftim.

“Ky hetim nuk ka të bëjë me ata persona që kanë dhënë kontribut në UÇK, por ky hetim është i drejtuar ndaj atyre individëve që kanë kryer keqpërdorime eventuale duke dhënë dëshmi të rrejshme apo duke paraqitur dokumentacion fiktiv të falsifikuar për të përfituar statusin e veteranit të luftës”, vazhdon më tutje njoftimi.

E nëse konstatohet një gjë e tillë, personat e caktuar do të përballen me ligjin, pavarësisht pozitës që kanë apo kanë mundur ta kenë gjatë një periudhe historike në të kaluarën, njofton komunikata e nënshkruar nga kryeprokurori Lumezi.

Zyra e Kryeprokurorit të shtetit ka ftuar gjithashtu të gjithë qytetarët që mund të kenë informata në lidhje me këto lista të veteranëve, t’i japin informacionet që ata posedojnë dhe të bashkëpunojnë me prokurorinë.

“Informatat e tilla do të trajtohen me përkushtim, profesionalizëm dhe konfidencialitet”, përfundon njoftimi.