Lajme

Kriza e papritur e çmimit të arit: Pse po bie çmimi?

Ari konsiderohet përgjithësisht një investim i sigurt, por që nga marsi çmimi i tij ka rënë mbi 10%. Kjo ka shkaktuar pasiguri në tregje dhe ka ngjallur pyetjen: A po humb ari reputacionin e tij si strehë e sigurt?

Eksperti i arit, Robert Vitye, nuk sheh arsye për shqetësim. Ai thotë se kjo nuk është automatikisht një shenjë dobësie fundamentale. “Kriza e papritur e çmimit të arit” pritet të jetë vetëm afatshkurtër. Imaru Casanova, specialiste e investimeve në ar, ndan të njëjtin mendim, duke shtuar se rënia e fundit nuk do të thotë se ari po humb rolin e tij si strehë e sigurtë, transmeton albinfo.ch.

Pse po bie çmimi i arit?

Ekspertët përmendin disa arsye kryesore:

1. Normat e larta të interesit

Një shkak kryesor është lufta në Iran që filloi në fillim të marsit, duke rritur ndjeshëm çmimet e energjisë – benzinë, naftë, gaz dhe lëndë të tjera djegëse. Kjo mund të rrisë më tej inflacionin. Në këtë situatë, bankat qendrore janë më pak të prirura për të ulur normat e interesit dhe mund t’i rrisin ato. Casanova shpjegon: “Rishikimi i pritshmërive për normat e interesit, veçanërisht perspektiva e pak reduktimeve nga Rezerva Federale e SHBA-së, ka rritur kthimet reale dhe ka forcuar dollarin amerikan.”

Pasiguria në tregje po bën që investitorët të tërheqin para dhe të shesin ari për të ruajtur likuiditetin, duke ulur më tej çmimin.

2. Rënia e çmimeve të aksioneve

Kriza në Lindjen e Mesme ka shkaktuar gjithashtu krizë besimi midis kompanive të kapitalit privat dhe fondeve të tyre, sidomos në SHBA. Investitorët po tërheqin fondet për javë me radhë, të pakënaqur nga rezultatet dhe të shqetësuar për pasigurinë. Këto tërheqje kanë rritur kërkesën për likuiditet, duke shtyrë investitorët të shesin sasi të mëdha ari dhe duke ulur çmimin.

Casanova shpjegon se ky fenomen nuk është i ri: “Në fazën fillestare të një shoku, ari shpesh bie së bashku me asetet e tjera për shkak të mungesës së parasë. Megjithatë, ari zakonisht stabilizohet dhe rikuperohet sa më shpejt që investitorët të pozicionohen sërish – dhe ky model duket se vazhdon të vlejë.”

Çmimi mund të vazhdojë të luhatet

Ekspertët theksojnë se pavarësisht dobësisë afatshkurtër, ari mbetet një strehë e sigurt. Në ditët në vijim, çmimi mund të vazhdojë të luhatet për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe pasigurive makroekonomike. Megjithatë, pas viteve të rritjes së pandalshme, situata aktuale mund të paraqesë një mundësi tërheqëse për investitorët me horizont afatmesëm, shton Vitye.