Kosova

KQZ-ja shpreh shqetësimin, KEDS-i garanton furnizim me rrymë gjatë zgjedhjeve

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë ka njoftuar se ka finalizuar planin operativ për furnizim të pandërprerë me energji elektrike gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat do të mbahen të dielën, më 28 dhjetor, në të gjitha vendvotimet në vend.

Pas një takimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, KEDS-i ka njoftuar se për ditën e zgjedhjeve do të angazhohen gjithsej 1,049 punëtorë, të organizuar në 140 ekipe në mbarë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit, në secilin nga 949 vendvotimet do të ketë ekipe në afërsi për intervenim të shpejtë në rast të ndonjë defekti, ndërsa do të funksionojë edhe një komision qendror teknik për monitorim dhe koordinim në kohë reale. Po ashtu, ekipet teknike do të jenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë ditës së votimit, me mbështetje të plotë logjistike dhe IT.

Megjithatë, gjatë diskutimeve në mbledhjen e KQZ-së sot janë ngritur shqetësime serioze lidhur me rrezikun e mungesës së energjisë elektrike në disa qendra votimi.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, ka thënë se KEDS-i në ditën e zgjedhjeve do të operojë me rreth 1,050 zyrtarë në terren dhe se bashkë me KOSTT-in ekziston një plan veprimi për menaxhimin e situatave të mundshme. Sipas tij, institucionet përgjegjëse do të marrin masa për çdo problem që mund të shfaqet, transmeton albinfo.ch.

Buzhala pranoi se KEDS-i mund të aplikojë shkyçje të energjisë në bazë të ngarkesave në rrjet, por shprehu shpresën se nuk do të ketë ndërprerje gjatë procesit zgjedhor. Ai sqaroi se vlerësimi i rrezikut është bërë në mënyrë objektive, bazuar në gjendjen e rrjetit të shpërndarjes dhe konsumin, i cili zakonisht arrin pikun mes orës 19:00 dhe 20:00.