Lajme

Kosovë, rritje e lehtë e kualitetit të jetës

Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare që është zhvilluar nga ASK, tregojnë se në vitin 2015 ka një rritje të lehtë të kualitetit jetësor

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare (ABEF) për vitin 2015, sipas të cilëve, vërehet një ngritje e lehtë e kualitetit jetësor në Kosovë. Sipas ASK-së, ekziston një zvogëlim i konsumit në ushqim, ndërsa ka një rritje tek komponentët e tjerë, përfshirë edhe rekreacion.

Nga rezultatet e dala nga ky publikim, konsumi i përgjithshëm në Kosovë në vitin 2015 ishte 2 miliard e 461 milionë euro, ndërsa për ekonomi familjare 7 mijë e 503 euro, si dhe për kokë banori 1 mijë e 432 euro.

“Konsumi i përgjithshëm në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014 ka një rënie të lehtë, ndërsa konsumi për kokë banori ka një rritje 3.3 për qind. Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare në vitin 2015 është shpenzuar në ushqim dhe banim: 43 për qind  për ushqim dhe 30 për qind për banim, të konsumit të përgjithshëm”, thuhet në raporton e ABEF-it.

Ndërkohë, që pasojnë shpenzimet për transport, alkool dhe duhan, veshmbathje dhe mobilie me 4 për qind.

Në vitin 2015, krahasuar me dy vitet e mëparshme 2013-2014, ushqimi nga prodhimi vetanak në konsumin e përgjithshëm ka shënuar një rritje nga 6 për qind sa ishte në vitin 2014 në 7 për qind në 2015, ose ka një rritje të ushqimit të vetëprodhuar nga ekonomitë familjare për 1 për qind.

“Konsumi i ushqimit në Kosovë në vitin 2015, sipas rezultateve të ABEF-it, dominohet nga mishi, qumështi, djathi, vezët, buka dhe drithërat, që kontribuojnë më shumë se gjysmën e konsumit të ushqimit (në vlerë). Më pas, radhiten perimet dhe pijet joalkoolike.

Konsumi i bukës dhe drithërave në vitin 2015 ka pasur një rënie në 17 për qind nga 18 për qind sa ishte në vitin 2014. “Në bazë të rezultateve të ABEF-it 2015, vërehet se kemi përmirësim të standardit jetësor të popullatës”, thuhet në raportin e ASK-së lidhur me ABEF-in.

Burimi më i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare sipas ABEF-it 2015, del të jetë rrogat nga sektori publik dhe ai privat, pastaj pensionet, të hyrat nga biznesi vetanak, si dhe paratë e dërguara nga jashtë, përkatësisht remitencat.

“Të hyrat nga remitencat kanë pasur një rritje nëse e krahasojmë me vitin 2014, ku në kuadër të burimeve kryesore të të hyrave të ekonomive familjare, remitencat kanë marrë pjesë me 8 për qind ndërsa në vitin 2015 remitencat kanë marrë pjesë me 9 për qind. Pra, kemi rritje të remitencave për 1 për qind në vitin 2015, krahasuar me vitin 2014”, thuhet në raport, transmeton Albinfo.Ch.