Lajme
Kosovë, rritet numri i narkomanëve
Nuredin Ibishi, eksperti i sigurisë, thotë se Kosova nga vend transit, kohën e fundit është bërë vend destinacion i drogës. Sipas statistikave, në Kosovë janë rreth 20 mijë narkomanë
Deri para dy-tri viteve, Kosova ishte konsideruar si vend trampolinë, nga ku kalon droga e prodhuar në vendet aziatike, për në shtetet e Bashkimit Evropian. Ndërsa shifrat e fundit tregojnë se nga vend transit, Kosova është shndërruar në vend destinacioni të drogës.
Sipas zyrtarëve shtetëror që merren me luftën kundër narkotikëve, Kosova po “përparon” me shtimin e numrit të narkomanëve. Madje shifrat e fundit janë tejet shqetësuese, duke fol për rreth 20 mijë konsumues të drogës në Kosovë, shumica të rinj.
Në anën tjetër Policia e Kosovës krenohet me operacionet e suksesshme në gjetjen dhe konfiskimin e drogës, ndërsa institucionet në Prishtinë, nuk kanë as strategji për luftimin e kësaj dukurie.
Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se Kosova kohëve të fundit është bërë vend destinacion i drogës përveç faktit që qysh moti është cilësuar si vend transit.
“Kosova është shpallë si vend transit i drogës, por fatkeqësisht një pjesë e asaj droge mbetet në Kosovë, edhe pse në sasi më të vogla. Megjithatë, sido që të jetë sondazhet që janë bërë në Kosovë tregojnë për një rritje te jashtëzakonshme të numrit të përdoruesve të drogës kohëve të fundit”, deklaron Ibishi, citon “Zëri”.
Sipas tij, tashmë në Kosovë numri i konsumuesve të drogës sillet nga 10 mijë në 20 mijë.
“Ky është shqetësim i madh sepse ky grup kaplon moshat e reja duke përshirë edhe të miturit nga mosha 12 deri në 18 vjeç pra fëmijët në shkollat fillore” tha Ibishi.
Të njëjtës kambanë alarmuese i bie edhe Dafina Muçaj nga qendra ”Labirint”, e cila ofron trajtim dhe rehabilitim për personat e varur nga droga. Ajo tregon se numri i përdoruesve të drogës po rritet dhe mosha mesatare e personave të varur nga droga po bie.
“Ne në “Labirint” kemi rreth 1.000 klientë, kryesisht përdorues të heroinës, mosha mesatare e të cilëve, duke llogaritur kohën e ardhjes në qendër, është 28 vjeçe, ndërsa mosha mesatare kur ata kanë filluar të marrin drogë është rreth 16 vjeç. Kjo moshë po zvogëlohet dhe numri i përdoruesve të kanabisit po rritet vazhdimisht tek personat e mitur”, thotë Muçaj.
Sa u përket statistikave për numrin e personave të varur nga droga në Kosovë ajo tha se nuk ka ndonjë statistikë të besueshme por numri sillet ndërmjet 10 e 20 mijë persona.
“Në Kosovë nuk ka ndonjë hulumtim në nivel kombëtar për numrin e përdoruesve të drogës, mirëpo konsiderohet se janë më shumë se 10 mijë përdorues problematikë, që quhen kështu sepse kane varësi të thellë, mirëpo numri i përdoruesve të tjerë është më i madh, ndoshta rreth 20 mijë’’ thotë ajo.
Nuredin Ibishi konsideron se bashkëpunimi institucional dhe ndonjë fushatë e vetëdijesimit të qytetarëve mund të jenë si mundësi të vetme për zbutjen e këtij fenomeni mjaft të rrezikshëm për shoqërinë kosovare.
“Kjo nuk duhet të jetë detyrë enkas e policisë, por duhet shikuar dhe duhet qasur më gjerë sepse edhe problemi i drogave është shumëdimensional e kompleks”, thotë ai.
Edhe Policia e Kosovës pranon që në Kosovë numri i përdoruesve të drogës është në rritje dhe se Prishtina është qendra ku ka më së shumti narkomanë.
Sipas statistikave të policisë, gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti janë konfiskuar 20 kg heroinë, 305 kg marihuanë, 3 kg kokainë, 813 fara kanabisi, 788 bimë kanabis dhe 26 ekstazi. Njëkohësisht janë arrestuar 282 persona për posedim dhe trafikim të narkotikëve.
E-Diaspora
-
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur Manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe... -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”










