Lajme

Kosovë, lansohet projekt për Përmirësimin e Sistemit të Arsimit

Ky projekt, siç u tha në konferencën inauguruese, synon të forcojë në cilësinë, llogaridhënien dhe përmirësimin e efikasitetit në arsim në Kosovë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, në bashkëpunim me Bankën Botërore lansuan të premten Projektit të Përmirësimit të Sistemit të Arsimit në Kosovë. Ky projekt, siç u tha në konferencën inauguruese, synon të forcojë në cilësinë, llogaridhënien dhe përmirësimin e efikasitetit në arsim në Kosovë.

Ministri kosovar i Arsimit, Arsim Bajrami tha se ky projekt madhor po vjen në kohën e duhur kur ne të gjithë janë të përkushtuar për ngritjen e cilësisë në sistemin arsimor dhe ky projekt do të jetë një shtyrje përpara e kësaj kauze të Republikës së Kosovës.

Ministri Bajrami përmendi disa segmente ku do të fokusohet projekti dhe që janë në përputhje me planet dhe strategjitë e MAShT-it.

“Prioriteti kryesor te sistemi arsimor në Kosovë është ngritja e cilësisë në shumë dimensione që nga implementimi i plotë i kurrikulës së re e deri te trajnimet e vazhdueshme të mësimdhënësve dhe krijimi i një sistemi shtetëror të vlerësimit të performancës”, tha Bajrami, sipas të cilit, ky projekt do të fokusohet në mënyrë të veçantë në ndërtimin e standardeve dhe politikave të licencimit të mësimdhënësve.

Një sistem cilësor arsimor, theksoi ministri Bajrami, do të ketë sukses nëse ka mësimdhënës kompetent, të përgjegjshëm, të përkushtuar dhe të përgatitur për sfidat që ka shekulli 21, “sfidat që ka teknologjia e informacionit dhe sfidat që ka krijimi i një gjenerate me kompetenca dhe shkathtësi”.

Ministri Bajrami u shpreh i lumtur që Banka Botërore ka futur në këtë projekt si komponent edhe mbështetjen për modernizimin e arsimit të lartë në kohën kur po fillojnë reforma të rëndësishme për ngritjen e performancës në këtë nivel të arsimit.

Ndërsa, Cristian Aedo dhe Marco Mantovanelli nga Banka Botërore u shprehën të kënaqur që ky institucion bankar po vazhdon bashkëpunimin me MAShT në mbështetje të sektorit të arsimit për të ofruar një arsim cilësor dhe si rezultat i kësaj edhe një ekonomi të zhvilluar për një vend që ka popullsinë më të re në Evropë.

Impelmentimi i projektit do të zgjasë 3 vjet dhe përmban  këto komponenta: 1. Përmirësimi i planifikimit strategjik, menaxhimit financiar, monitorimit dhe vendimmarrjes në sektorin e arsimit; 2. Forcimi i kapaciteteve menaxhuese dhe i llogaridhënies për përmirësimin e cilësisë në arsim parauniversitar dhe arsim të lartë; 3. Mbështetje për zbatim dhe komunikim.