Lajme

Kosovë, dyshime se po bëhet përzgjedhja e gjinisë

Kohën  fundit janë hedhur dyshime të tjera që tregojnë se në spitalet tjera që ndihmojnë frytnimin, mund të zgjidhet gjinia. Gjatë vitit 2015, kanë lindur 4,817 djem, ndërsa 4,227 kanë qenë vajza

Që nga përfundimi i luftës më Kosovë dhe me hapjen e spitaleve private, është ngritur dyshimi se frytnimi i asistuar mund të jetë me dallavere. E ajo që ka forcuar këtë dyshim ka qenë spitali i gjinekologes Gjina Zeqiri, për të cilën prokurorët kishin hapur rast gjyqësor. Por, Zeqiri është arratisur dhe nuk e ka mohuar faktin se në spitalin e saj janë frytnuar edhe grati mbi 45 vjeç.

Po ashtu, kohën e fundit janë hedhur dyshime të tjera që tregojnë se në spitalet tjera që ndihmojnë frytnimin, mund të zgjidhet gjinia.

Këto dyshime i ka raportuar edhe Kallxo.com, sidomos nën pretendimin se spitalet private po bëjnë përzgjedhjen e gjinisë dhe po blejnë spermë e vezore nga shtetet fqinje. Për t;i hetuar këto nëse janë apo jo të vërteta është formuar Komisionit për Fertilizim të Asistuar Mjekësor, i cili së fundmi ka dal me një raport.

Në atë që ka parë ky Komision, thuhet se në këto spitale janë gjetur të dhëna që vlejnë për të gjitha spitalet si mungesa e kompletuar e ekipit, pra mungon biologu i diplomuar dhe me përgatitje arsimore në sferën e embriologjisë humane pasi që me dosjet e prezantuara nuk e kanë bindur komisionin se kanë shkollim adekuat.

Klinikat për Frytnim të Asistuar deklarohen se të gjithë donatorët janë nga vendi, por ka dyshime se ata vijnë edhe nga vendet fqinje duke mos specifikuar në raport se nga cilat vende fqinje vijnë ato materiale gjenetike.

Sipas raportit të Komisionit, në njërën klinikë dokumentacioni nuk ka qenë në gjuhën shqipe ndërsa vërehet një shpërputhje në mes të numrit të procedurave fertilizimit të asistuar të kryera te gratë mbi moshën 45 vjeçare dhe atyre të raportuara në KFAM.

Faik Hoti është anëtari i Komisionit për Frytnim të Asistuar Mjekësor.

“Është bërë raporti që i është dërguar Ministrisë së Shëndetësisë. Pas disa muajve ne kemi vërejtur që ka një përmirësim sidomos në raportimin e të dhënave për rastet që i nënshtrohen IVF mbi moshën 45 vjeçare ndërkohë që ka ende hapësirë që të bëhen përmirësime si në informimin e pacientëve për të drejtat e tyre si në plotësimin e dosjes së pacientëve qartësimin e raporteve në mes të donatorëve dhe atyre që i pranojnë donacionet dhe aspekte të tjera të cilat kanë për qëllim final ushtrimin e kësaj veprimtarie krejtësisht ligjore dhe të mos ketë dilema në opinion që shkaktojnë huti te personat që iu nënshtrohen këtyre procedurave” tha ai.

Ndryshe, Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Gjina Zeqirit në janar të vitit 2016. Prokuroria pretendon se ka siguruar prova të mjaftueshme dhe dyshimi është i bazuar mirë që në klinikën e saj janë kryer punë të paligjshme. Por gjykimi ndaj saj nuk është mbajtur asnjëherë sepse ajo është arratisur nga Kosova.

Ndryshe, në Kosovë vazhdon të mbizotëroj patriarkati si logjikë e funksionimit në shoqëria. Prandaj edhe sipas statistikave demografike, viteve të fundit ka më shumë lindje të djemve se sa vajzave. Sipas të dhënave zyrtare, në Klinikën gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë vitit 2015, kanë lindur 4,817 djem, ndërsa 4,227 kanë qenë vajza.