Kosova

Kosovë: Ambasadorët bëjnë thirrje për heqjen e taksës 

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S.Kosnett, dhe ai në Serbi, Kyle Scott, kanë dhënë qëndrimin e përbashkët se viti 2019 duhet të jetë vit i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. 

Përmes një deklarate, ambasadorët amerikanë i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës ta pezullojë vendimin për taksën, në mënyrë që të zhbllokohet dialogu. 

Ndërsa, Serbisë i kanë kërkuar që ta ndërpresë qasjen destruktive ndaj Kosovës. Marrëveshja ndërmjet Athinës dhe Shkupit për emrin, sipas ambasadorëve të SHBA-së do të duhej t’i frymëzonte Kosovën dhe Serbinë për arritjen e marrëveshjes.

 “Kjo është arsyeja pse sot u bëjmë këtë thirrje: Është koha që Kosova ta pezullojë taksën, Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive, që të marrin fund provokimet nga të dyja palët, Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të dyja palët ta përqafojnë paqen me guxim. Nëse e bëni këtë, ne jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim më 2019-n”, thuhet në këtë deklaratë, përcjell albinfo.ch.

Ambasadorët thanë se SHBA-ja nuk do të caktojë se cila do të jetë marrëveshja, por theksojnë se çfarëdo marrëveshje që arrihet ndërmjet dy vendeve duhet t’i kontribuojë stabilitetit të rajonit.