Shkurt.ch

Kosovarët, pas afrikanëve, të dytët për hyrje ilegale në Zvicër

Numri më i madh i migrantëve ilegalë që janë kapur nga rojet kufitare të Zvicrës vijnë nga Gambia (Afrikë), 562 sish ndërsa menjëherë pas tyre, 474 vijnë nga Kosova

Gjatë periudhës janar-prill në kufijtë e Zvicrës është shënuar rekord sa i përket hyrjes së migrantëve në mënyrë ilegale, gjegjësisht numrit të migrantëve të kapur duke provuar të hyjnë në këtë mënyrë në Zvicër. Më shumë vijnë nga Afrika por menjëhertë pas tyre vijnë kosovarët!

Rojet kufitare në Kantonin e Tesinës gjatë javëve të fundit të prillit kanë shënuar një rekord në këtë drejtim. Ende nuk ka ndodhur kurrë që në një periudhë të tillë të kapen kaq shumë refugjatë, ka thënë zëdhënësi Davide Bassi, duke shtuar se bëhet fjalë për shifra që kalojnë trefishiin e mesatares së periudhave tjera, shkruan 20minuten.ch.

Por kalimi ilegal i kufijve kohëve të fundit nuk karakterizon vetëm Tesinën. Shifra mbimesatare janë regjistruar edhe në kufijtë tjerë të vendit.

Sipas Administratës Federale të Doganave (EZV) nga fillimi i vitit e deri në fund të prillit janë regjistruar 4582 persona me “qëndrim kundërligjor” në Zvicër, siç identifikohen të huajt që kapen duke kaluar kufirin ilegalisht. Në periudhën e njëjtë të një viti më parë kanë qenë 3719 të tillë ndërsa një vit më parë, 4137.

Numri më i madh i migrantëve ilegalë që janë kapur nga rojet kufitare të Zvicrës vijnë nga Gambia (Afrikë), 562 sish ndërsa menjëherë pas tyre, 474 vijnë nga Kosova, transmeton albinfo.ch. Nigerianët vijnë në vendin e tretë (323 sish).