Lajme
Kosova thyen tabutë, bën Këshill për gratë e dhunuara
Për të mos e mbuluar “pluhuri” këtë temë, presidentja Atifete Jahjaga e inauguroi sot Këshillin Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës
Rreth 20 mijë gra të Kosovës janë keqtrajtuar seksualisht nga forcat serbe gjatë luftën së fundit në Kosovë, por kjo teme ka vazhduar për 15 vjet të jetë tabu në Kosovë. Për mos me mbuluar “pluhuri” këtë temë, presidentja Atifete Jahjaga e inauguroi sot Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Ky Këshill i themeluar me dekret të veçantë të Presidentes, synon bashkërendimin e aktiviteteve të institucioneve dhe agjencive, për të rehabilituar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Pesha e vuajtjeve dhe pasojave të luftës vazhdon të rëndojë ende sot mbi të gjithë ne. Pa dyshim që kjo peshë është edhe më e rëndë për të gjithë ata burra e gra dhe për familjet e tyre që ishin viktima e pre të torturave mizore”, deklaroi presidentja Jahjaga.
Kosova, siç tha ajo, ka hapur kapitullin e paqes, duke ndërtuar një shoqëri që beson në të drejtat e njeriut dhe i mbron ato. Prandaj, 15 vjet pas, institucionet e Kosovës, kanë hapur një çështje që konsiderohet më e dhimbshmja e luftës së fundit, që është “dhuna seksuale”
“Pasojat e rënda të këtij mjeti lufte që u përdor për të cenuar dinjitetin e viktimave, për të ngjallur ndjenjën e frikës dhe të shtypjes, për të nxitur shpërnguljen dhe për të zhveshur një shoqëri të tërë nga vlerat e saj njerëzore, po vazhdojnë të rrënojnë jetën e viktimave dhe familjarëve të tyre”, deklaroi presidentja.
Sipas saj, pesëmbëdhjetë vite pas përfundimit të luftës, tema e viktimave të dhunës seksuale mbetet ende një temë tabu për t’u adresuar.
“Të mbijetuarit e dhunës seksuale vuajnë ende nga një gjendje e rëndë psikologjike, sociale dhe ekonomike, prandaj kanë nevojë për mbështetjen e institucioneve dhe shoqërisë për t’u përballur me një realitet të rëndë në të cilin e gjejnë veten, jo për fajin e tyre”, deklaroi ajo.
Sipas Jahjagës, Kosova nuk ka akoma një numër të saktë të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por mendohet që numri i tyre të jetë deri në 20 mijë. “Dhe është pak e rëndësishme se sa është numri i tyre, sepse qoftë edhe një viktimë e kësaj dhune kërkon vëmendjen tonë”, u shpreh ajo.
Statusi ligjor i kësaj kategorie nuk është njohur akoma, ndërsa ka mbizotëruar një kulturë e pandëshkueshmërisë së përgjegjësve të këtyre krimeve.
Prandaj këshilli i iniciuar sot, synon jo vetëm rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale, por marrjen e të gjitha masave të nevojshme për të parandaluar këtë krim.
Padyshim që përsëritja e krimeve të tilla, sipas presidentes, mund të parandalohet vetëm kur të ketë vëmendjen institucionale, kur përgjegjësit e këtyre krimeve, siç tha ajo, do të dalin para drejtësisë dhe të gjykohen për veprimet që i kanë bërë.
“Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën e tyre, por mund të sigurohemi që e ardhmja të mos përcaktohet nga kjo e kaluar e hidhur, që e ardhmja e familjeve të tyre, e fëmijëve të tyre, të mos përcaktohet nga një krim i kryer padrejtësisht mbi to’, deklaroi presidentja Jahjaga.
Ajo kërkoi që të hiqet perdja e stigmës që ka mbuluar këto viktima të dhunës, ‘të thyhet heshtja që ka mbizotëruar dhe të hiqet fajin prej tyre e ta kalojmë aty ku duhet, te përgjegjësitë e këtyre krimeve”.
Ndërsa kryeministri Jakup Krasniqi tha se lufta e fundit popullit të Kosovës i shkaktoi humbje të jashtëzakonshme në njerëz, ekonomi e trashëgimi kulturore në përmasa gjenocidale. Ndërsa dhuna seksuale e ushtruar nga forcat militare serbe ndaj grave dhe vajzave në Kosovë, sipas tij, përbën aktin më të turpshmin dhe më të shëmtuarin që ka ndodhë në botën e civilizuar.
“Ky akt në veten e vet ka përbërë shkelje drastike ndaj të drejtave të njeriut dhe si i tillë ishte krim i rënd kundër njerëzimit, veprime këto të sanksionuara me konventa ndërkombëtare”, deklaroi Krasniqi.
Kryeparlamentari kërkoi që viktimat e dhunës seksuale të kompensohen nga shteti. “Është e domosdoshme dhe parësore fuqizimi dhe përkrahja financiare e institucioneve përkatëse shtetërore të ngarkuara për trajtimin e çështjeve gjinore në Kosovë e veçanërisht të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës”, tha ai.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Një urë mes rrënjëve dhe integrimit, një shtëpi e përbashkët e besimit dhe kulturës Nga hapja solemne e Xhamisë Shqiptare në Tafers – Friburg... -
Melisa Leka, shkëlqen në serialin ndërkombëtar “Dark Side of the Ring” -
Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani -
Fjolla dhe Ardiana prezantojnë “Vajzë”, një urë mes Kosovës dhe Zvicrës -
USA
Kur ëndrrat nuk njohin kufij, rrugëtimi akademik i Albulena Ukës
Jeta në Austri
-
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë Tregjet e Krishtlindjeve në Schönbrunn, Floridsdorf dhe Favoriten janë hapur tashmë. Sot, hapet edhe tregu i Krishtlindjeve... -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025










