Lajme

Kosova pranohet në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit

Ky anëtarësimi, sipas MPJ-së, është një arritje shumë e rëndësishme për faktin se Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit është një ndër organizatat më prestigjioze dhe më të vjetra ndërshtetërore

Republika e Kosovës tashmë zyrtarisht është bërë anëtarja e 121 me të drejta të plota e  Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit me seli në Holandë. Ky anëtarësimi në këtë institucion ndërkombëtar, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, është një arritje shumë e rëndësishme për faktin se Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit është një ndër organizatat më prestigjioze dhe më të vjetra ndërshtetërore.

Për këtë ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka falënderuar përfaqësuesit e shteteve përkrahëse të këtij tyre duke e vlerësuar anëtarësimin lajm të mirë për Kosovën.

“Me gjithë përpjekjet e Serbisë për ta bllokuar procesin që nga janari, nga votat e shteteve  anëtare u konfirmua edhe zyrtarisht pranimi i Kosovës në këtë organizatë. Faleminderit shteteve përkrahëse për votimin dhe diplomatëve të Kosovës për lobimin. Koordinimi i mirëfilltë me partnerët po sjellë edhe rezultatet diplomatike”, është shprehur ministri Hoxhaj.

Anëtarësimi në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit, siç thuhet në komunikatë, do ta ndihmoj Kosovën në aspektin ekonomik sepse do të ofroj siguri për sipërmarrësit e huaj për të investuar në Kosovë, pasi që kjo gjykatë “do t’iu mundësoj investitorëve të jashtëm që kontratat me Republikën e Kosovës t’i bëjnë duke parashikuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nga Gjykata e Arbitrazhit”.

“Anëtarësimi në këtë organizatë përveç tjerash konsolidon më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, si dhe e pajis shtetin tonë me një mjet të rëndësishëm për të trajtuar e zgjidhur mosmarrëveshje të ndryshme ndërkombëtare me shtete apo palë të tjera publike e private”, thuhet në njoftim.