Lajme

Kosova mbetet vendi transit për narkotikët me destinacion Evropën

Qeveria përballet me sfida në luftimin e trafikimit të narkotikëve, për shkak të zonave të pakontrolluara kufitare dhe korrupsionit

Kosova është kryesisht shtet tranzit për drogat që kanë destinacion Evropën dhe nuk është prodhues narkotikësh dhe policia nuk ka gjetur se në Kosovë rafinohet droga apo ka laboratorë për prodhimin e tyre, thuhet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit në të cilin përfshihen të gjitha aspektet e tregtisë ndërkombëtare të drogës gjatë vitit 2011. Sipas raportit, Qeveria e Kosovës përballet me sfida në luftimin e trafikimit të narkotikëve, për shkak të zonave të pakontrolluara kufitare dhe korrupsionit të mundshëm.

Qeveria e Kosovës në korrik të 2009 ka miratuar strategjinë kundër narkotikëve e cila përfundon në 2012. Një strategji e re qershor 2012- qershor 2015 është duke u shqyrtuar aktualisht.

“Kosova ka bërë përparim në iniciativat kundër substancave narkotike në vitin 2011, kryesisht duke përmirësuar koordinimin në mes të agjencive të përfshira”, thuhet në raportin e DASH-it.

Raporti thekson se heroina dhe drogat tjera hyjnë në Kosovë kryesisht përmes Afganistanit, përmes Turqisë dhe Lindjes së Mesme dhe përmes Maqedonisë, ndërsa kokaina dhe marihuana hyjnë përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë se që nga janari deri në shtator të 2011, më së shumti është zënë sasi e marihuanës, (96.8 kg), pasuar nga heroina (33.1 kg) dhe kokaina (2.6 kg).

Sfidat për policinë në uljen e furnizimeve kanë të bëjnë me burimet e kufizuara, rrethi i ngushtë familjar, strukturat klanore, që pengojnë hetimet dhe një mungesë e përgjithshme e prokurorëve qe merren vetëm me krimet narkotike.

Statistikat për konfiskimin, arrestimin dhe përndjekjen janë në masë të madhe të pabesueshme dhe jokonsistente.

Ngjashëm të pasigurta janë edhe shifrat e përdoruesve të drogës në Kosovë, edhe pse një Organizatë Joqeveritare e quajtur “Labirinti” thotë se janë diku 10 mijë deri në 15 mijë përdorues.

Sa i përket politikave qeveritare, Kosova nuk inkurajon trafikimin e drogës dhe asnjë zyrtar nuk dihet të jetë marrë me aktivitete të tilla.

Derisa ligjet ndalojnë korrupsionin që do të mund të ndihmonte trafikimin e narkotikëve, ekzistojnë dyshime se narkotikët lëvizin në Kosovë me kamionë, autobusë dhe makina private, shpesh me lejen e zyrtarëve doganorë, të cilët marrin mito për të mbyllur njërin sy.

Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, dhe rrjedhimisht është e kufizuar në nënshkrimin e marrëveshjeve vetëm me ato shtete që e njohin.

Kosova bashkëpunon dhe shkëmben informacione me fqinjët përmes takimeve joformale bilaterale dhe multilaterale.

Policia e Kosovës thotë se shkëmbimi i informacioneve me Shqipërinë dhe Maqedoninë është i mirë. Janë duke u zhvilluar negociata për të nënshkruar marrëveshje edhe me Malin e Zi.

Kosova merr ndihmë teknike dhe trajnime përmes programeve OPDAT dhe ICITAP, të themeluara nga administrate e Shteteve të Bashkuara.

Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje që të ofrojë trajnime dhe të financojë programet kundër substancave narkotike për uljen e trafikimit të tyre.

Policia e Kosovës dhe prokurorët duhet të rrisin kapacitetin e tyre në kryerjen e hetimeve dhe përndjekjeve të trafikantëve të drogës, të krimit të organizuar dhe spastrimit të parave si dhe të çrrënjosë trafikimin ilegal. Kjo mund të kërkojë që lufta kundër narkotikëve të vihet si prioritet i lartë.

Vazhdimi i ndihmës ndërkombëtare dhe një nivel i lartë i  vëmendjes dhe një koordinim i Qeverisë së Kosovës, do të çonte përpara objektivat e Kosovës në luftën kundër narkotikëve, thuhet në raporton e Departamentit Amerikan të Shtetit.