Lajme

Kosova kërkon ndihmë nga Podgorica për liberalizimin e vizave

Autoritetet e Kosovës do t’i drejtohen Malit të Zi me një kërkesë që Podgorica t’i kërkojë Bashkimit Evropian që Kosova të mos mbetët e bllokuar nga BE për shkak të demarkacionit të kufirit

 

Koalicioni qeverisës në Kosovë ka hequr dorë nga ratifikimi i marrëvëshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe është duke kërkuar një solucion tjetër për të dal nga bllokimi që ka shkaktuar mungesa e demarkacionit. Prandaj autoritetet e Kosovës do t’i drejtohen Malit të Zi me një kërkesë që Podgorica t’i kërkojë Bashkimit Evropian që Kosova të mos mbetët e bllokuar nga BE për shkak të demarkacionit të kufirit.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas takimit të Kryesisë së Kuvendit, ku për mungesë të kuorumit nuk u zhvillua mbledhja e thirrur për të hënën.

“Unë kam vënë disa kontakte dhe presim shumë shpejt që bartësit më të lartë institucional në Republikën e Malit të Zi, do ta thonë këtë edhe publikisht, duke iu drejtuar edhe instancave të Bashkimit Evropian se për çështjen e Demarkacionit nuk do të ishte mirë që qytetarët e Republikës së Kosovës të mbeten të izoluar”, tha Veseli.

AI tha po ashtu se demarkacioni është bërë një histori e gjatë që po e dëmton Kosovën. Ndërkaq si kusht për heqjen e vizave, ai tha se është i padrejtë. Kryetari i Kuvendit,Veseli, tha se demarkacioni nuk është çështje problematike në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Kosova është e interesuar që çështjen e Demarkacionit ta përfundojë. Në të njëjtën kohë i kemi thënë shumë në mënyrë korrekte edhe zonjës Ulrike Lunacek edhe komisionerit Johannes Hahn se Kosova ka gatishmëri të ketë raporte shumë të mira me Malin e Zi dhe nuk është korrektet që edhe pas gjashtë vitesh, qytetarët tanë të mos kenë lëvizje të lirë drejtë Bashkimit Evropian për një çështje siç është Demarkacioni”, tha Veseli.

Ai ka shprehur dyshimet e tij që në këtë vit, Kuvendi nuk do t’ia del të ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacionin, ngase nuk ka gatishmëri nga palët për ta çuar përpara ketë çështje.

Nga ana tjetër, Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca duke folur për Demarkacionin tha se ndërkombëtarët nuk janë kundër ri-negocimit të marrëveshjes për Demarkacionin. Konjufca tha se alternativa më e mirë për Kosovën në këtë fazë është shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare.