Kosova

Kosova jashtë Listës së Shteteve të Brishta

Çka nënkupton në aspektin ekonomik heqja e Kosovës nga kjo listë?

Brenda më pak se dhjetë ditësh, dy nga institucionet më të mëdha financiare ndërkombëtare – Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar – e kanë hequr Kosovën nga Lista e Shteteve në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit, përcjell albinfo.ch.

Pas më shumë se 15 vjetësh në këtë listë, Kosova kthehet tani në hartën e vendeve që konsiderohen institucionalisht më të qëndrueshme dhe financiarisht më të konsoliduara.

Si për Bankën Qendrore të Kosovës, ashtu edhe për Qeverinë në detyrë, kjo është një “njohje e rëndësishme e përparimit institucional dhe ekonomik të vendit”.

Ekspertët e ekonomisë thonë se ky zhvillim mund të forcojë imazhin e Kosovës si një vend i qëndrueshëm dhe i besueshëm për investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Çka nënkupton në aspektin ekonomik heqja e Kosovës nga kjo listë?

Mejdi Bektashi, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se vendimet e Bankës Botërore dhe të FMN-së për ta hequr Kosovën nga Lista e Shteteve në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit janë stimuluese për zhvillimet e ardhshme, ndaj të cilave Kosova duhet të përshtatet.

Sipas tij, Kosova, tani e tutje, do të ketë përfitime të shumta, jo vetëm nga Banka Botërore dhe FMN-ja si institucione financiare, por edhe nga tregjet tjera financiare që veprojnë në shtetet më të zhvilluara.

“Kryesisht, duke rritur qasjen në kreditim, në zvogëlimin e normës së riskut, që nënkupton zvogëlimin e normës së interesit, me të cilën Kosova mund të marrë hua apo kredi nga këto institucione apo tregje të tjera financiare”, shpjegon Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Për profesorin tjetër të Ekonomisë, Berim Ramosaj, heqja e Kosovës nga Lista e Shteteve në Situata të Brishtësisë dhe Konfliktit rrit besimin e investitorëve vendorë e të huaj, zgjeron mundësitë për kredi më të favorshme, si në nivel nacional ashtu edhe ndërkombëtar, dhe u jep shansin edhe bankave të rendit të dytë dhe të tretë të performojnë më mirë.

Përfitime të tjera

Bektashi thotë se mbështetja nga Banka Botërore dhe FMN-ja siguron stabilitet makroekonomik për Kosovën, duke përfituar jo vetëm sektori publik, por edhe ai privat, i cili do të ketë qasje më të lehtë dhe me kushte më të favorshme në huazime nga vendet e zhvilluara.

Megjithatë, ai thekson se pjesa më e madhe e aktivitetit financiar në Kosovë lidhet me Bashkimin Evropian, i cili, prej dy vjetësh, ka vendosur masa shtrënguese ndaj vendit, për shkak të tensioneve në veri.

“Masat shtrënguese, të vëna nga Komisioni Evropian, si dhe mosformimi i institucioneve (të Kosovës) që po zgjat me muaj të tërë, janë sinjale shumë të këqija, shumë dëshpëruese edhe për institucionet më të rëndësishme financiare, por edhe për BE-në”, thotë Bektashi.

Ai shton se vendimet e Bankës Botërore dhe FMN-së duhet të shërbejnë tani si sinjal pozitiv edhe për vetë BE-në që t’i heqë masat shtrënguese dhe të adoptojë një qasje më të moderuar ndaj Kosovës.

A janë vendimet e Bankës Botërore dhe FMN-së pasqyrim i përmirësimeve reale?

Vendimet e Bankës Botërore dhe FMN-së për Kosovën janë një “karotë stimuluese”, thotë Bektashi.

Ai vë në dukje se në Kosovë ka ende ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë – gjë që e vë në pikëpyetje garantimin e vendimeve të drejta.

Thotë se deficiti tregtar mbetet i lartë, ndërsa politikat ekonomike të Qeverisë në detyrë nuk kanë sjellë përmirësimet e pritshme.

“Unë besoj që ne, realisht, nuk kemi përmirësim të situatës makro-ekonomike dhe financiare. Por, është një vendim më tepër politik (i Bankës Botërore dhe FMN-së), ku më shumë ka kontribuar Banka Qendrore e Kosovës sesa Qeveria aktuale në detyrë, pasi që bisedat apo kontaktet e këtyre institucioneve, kryekëput, kanë të bëjnë me BQK-në”, thotë Bektashi.

Ramosaj vlerëson, gjithashtu, se meritë për këtë vendim ka Banka Qendrore e Kosovës.

Ai thotë se Kosova ka bërë përparime në qëndrueshmërinë ekonomike dhe institucionale, por se, në thelb, realiteti ekonomik dhe ai politik nuk janë ende plotësisht të qëndrueshëm.

“Ka përmirësime edhe në qeverisjen e të hyrave buxhetore, sidomos në politikat makro-financiare. Mirëpo, ka edhe probleme të natyrave të tjera, qoftë në mosngritjen e institucioneve me kohë, qoftë në moskryerjen e funksionit të legjislativit – i cili është edhe themelues i disa agjencive të pavarura – apo në mosekzistimin e një qeverie në kuptimin e plotë, përveçse asaj në detyrë”, thotë Ramosaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai i referohet faktit se Kosova ende nuk ka arritur të konstituojë Kuvendin e ri – edhe pse zgjedhjet u mbajtën më 9 shkurt – për shkak të mosmarrëveshjeve politike, dhe për pasojë funksionon me qeveri në detyrë. /rel