Kosova
Kosova i dëbon dy pjesëtarë të MPB-së serbe dhe ua ndalon hyrjen për 5 vjet
Autoritetet kosovare i kanë dëbuar nga vendi dy pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) disa orë pasi i kishin arrestuar të shtunën nën dyshimin për cenim të sigurisë kombëtare, konfirmuan avokatët e tyre për Radion Evropa e Lirë të dielën.
Nikolla Vujoviq dhe Mlladen Millojevia u dëbuan të shtunën në mbrëmje dhe të dyve u është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet, thanë avokatët e tyre Bogdan Laziq dhe Srgjan Mitroviq, përkatësisht.
Vujoviq dhe Millojeviq ishin në mesin e tre pjesëtarëve dhe të një pjesëtari të pensionuar të MPB-së serbe që u arrestuan në Kosovë të shtunën.
Autoritetet kosovare e kanë konfirmuar vetëm arrestimin e Vujeviqit dhe qëllimin për dëbimin e tij, pasi ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, ia hoqi atij shtetësinë kosovare të shtunën duke thënë se ai është i rekrutuar nga institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Serbisë.
Svecla tha të shtunën se Vujoviq “përbën rrezik për sigurinë tonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”.
Millojeviq ushtron detyrën e policit të Serbisë në Rashkë dhe vjen nga Leposaviqi, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Vujoviq, i cili vjen nga Zubin Potoku po ashtu në veri të Kosovës, ka paralajmëruar padi ndaj vendimit të autoriteteve kosovare për heqjen e shtetësisë, tha avokati i tij.
Sipas ligjit për Shtetësinë në Kosovë, një person e humb shtetësinë nëse merret me veprimtari të cilat rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës; kur është qëllimisht anëtar i një organizate e cila ka për qëllim rrënimin ose dëmtimin e rendit kushtetues të Kosovës; kur është anëtar i shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti tjetër, pa pëlqim nga organet vendore dhe pa marrëveshje ndërkombëtare paraprake.
Sveçla tha se Serbia po bën “përpjekje sistematike” për destabilizim të brendshëm të Kosovës, duke punësuar shtetas të Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, “akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cenim i sigurisë sonë kombëtare”.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e dënoi vendimin e autoriteteve kosovare për arrestimin e pjesëtarëve dhe ish-pjesëtarit të MPB-së të shtunën.
Ajo tha se autoritetet kosovare nuk kanë pasur “asnjë arsye ligjore” për arrestimin e tyre dhe se kjo “është hakmarrje e nxitur politikisht kundër popullit serb”.
Arrestimi i tyre ndodhi një javë pasi Serbia e arrestoi një ish-pjesëtar të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës më 7 qershor në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij.
Arbnor Spahiu dyshohet nga autoritetet serbe për “vrasje të rëndë në Banjskë” – ku një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku – tha avokati i angazhuar nga familja e Spahiut, Arianit Koci, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të premten.
Koci tha se mbrojtja tashmë ka dorëzuar ankesën ndaj vendimit për paraburgimin njëmujor./REL
E-Diaspora
-
Hanover
Hannover Airport dhe ADAC korrigjojnë emërtimin e vendbanimeve të Kosovës Hannover Airport dhe ADAC njohin Kosovën si shtet të pavarur pas ndërhyrjes së Ambasadës... -
Ansambli “Arbëresha” festoi 22 vjetorin e themelimit -
Policia bastis një klub shqiptar për shkak të lojërave ilegale të fatit -
Rumani
Sopranoja Besa Llugiqi debuton në Operën Shtetërore të Bukureshtit -
Itali
Tragjedi në Itali, fqinji rrëfen si u gjetën të pajetë katër anëtarët e familjes shqiptare
Jeta në Austri
-
75,000 euro të marra nga kasaforta në Vjenë, vjedhja e shpikur Dy burra u arrestuan pafajësisht, një vjedhje me thyerje u sajua. Tani sistemi i drejtësisë po... -
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale












