Lajme

Kosova e Shqipëria, bashkë në projektet e diasporës

Lidershipi në Shqipëri i ka dhënë mbështetje të pa rezervë Ministrisë kosovare të Diasporës për mësimin plotësues dhe zhvillimet tjera në diasporë

Krerët shtetëror të Republikës së Shqipërisë i dhanë mbështetje të fuqishme ministrit kosovar të Diasporës, Valon Murati për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë për të gjithë shqiptarët, ndërsa ritheksuan se diaspora shqiptare është një dhe e vetme dhe si e tillë duhet të trajtohet.

Mbështetjen e Tiranës, ministri Murati e mori gjatë një vizite zyrtare në Shqipëri, ku u takua me kryeministrin e Republikës, Edi Rama, ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ministrin e Punës, Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi dhe ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

Në këtë takime, ministri kosovare Murati diskutoi disa fusha të bashkëpunimit mes tyre edhe organizimin e përbashkët të samitit të Diasporës më 13 mars në Tiranë, pikërisht në ditën e vdekjes së shkrimtarit, diplomatit, historianit të shquar shqiptar, Fan Stilian Nolit.

Në takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama krahas samitit të diasporës u diskutuan është çështje të tjera që e prekin diasporën shqiptare ndërsa kryeministri Rama, siç thuhet në njoftimin e MeD, u informua për të gjitha projektet të cilat Ministria e Diasporës është duke i realizuar.

Në anën tjetër gjatë takimit me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati u diskutua për rolin e Ambasadave dhe Konsullatave të Republikës së Shqipërisë dhe atyre të Kosovës në raport me diasporën ndërsa si përfundim dy ministrat u dakorduan që ky bashkëpunim të ngritët në një nivel akoma më të lartë.

Po ashtu, siç thuhet në njoftim, në takim me ministrin Bushati u bisedua edhe mundësia që projektit të hartimit të regjistrit të diasporës dhe mërgatës t’i bashkëngjiten edhe institucionet e Republikës së Shqipërisë ashtu që ky projekt të merr karakter gjithëkombëtar

“Takimi me Ministrin e Punës, Mirëqenies Sociale dhe Rinisë u koncentrua në frymën e realizimin të menjëhershëm të disa projekteve, si krijimi i mundësive të përbashkëta që të rinjtë e diasporës nga marsi i vitit të ardhshëm të mund të kryejnë punë praktike në institucionet e dy shteteve, realizimin e një kampi të madh veror me të rinjtë nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga diaspora si dhe realizimin e një platforme të përbashkët digjitale për rrjetëzimin e profesionistëve të diasporës”, thuhet në njoftimin e MeD, raporton Albinfo.Ch.

Ndërkaq, në fund të vizitës, m ministri Murati u takua me ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla me të cilën diskutoi për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë dhe u dakorduan për dinamikën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

“Krerët shtetëror të Republikës së Shqipërisë dhanë mbështetje të pa rezervë për punën e Ministrisë së Diasporës duke konstatuar se diaspora shqiptare është një dhe e vetme dhe si e tillë do të trajtohet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë kosovare të Diasporës.