Lajme

Kosova e Bosnja, rrezik potencial i terrorizmit

Ekspertët evropianë vlerësohet se rreth 500 të rinj nga rajoni i Ballkanit janë rekrutuar për të luftuar në Siri dhe Irak. “Ata janë kryesisht nga Bosnja apo Kosova”, kanë thënë ata

Kosova, Bosnja e Hercegovinën si dhe rajoni i Sanxhakut në Serbi, konsiderohen si vende me rrezik potencial nga terrorizmi islamik. Kështu konsiderojnë ekspertët evropianë, duke arsyetuar deklaratën e tyre me numrin e madh të shtetasve të këtyre vendeve në luftën civile në Irak e Siri.

Bashkimi Evropian, siç raportojnë mediet kosovare, po bashkëpunon për së afërmi me përfaqësuesit e shteteve të rajonit dhe atë në të gjitha nivelet përfshirë atë ministrorë si dhe të shërbimeve të sigurimit.

Në këtë kuadër, zyrtarët evropianë konfirmojnë se po zhvillohen edhe vizita të ekspertëve të Brukselit në rajon me qëllim të shtimit të aktiviteteve në parandalimin dhe zbulimin e terroristëve që kërcënojnë sigurinë e qytetarëve si në BE ashtu edhe në Ballkan.

Një zyrtar evropian i ngarkuar në çështje anti-terrorizmi ka deklaruar se Ballkani nuk mund të jetë imun ndaj terrorizmit, raporton RTK.

“Ka zona ku është në rritje radikalizimi fetarë, kur për vote kanë vepruar disa imamë ekstremë dhe radikalë. Ndërkohë vlerësohet se 500 të rinj nga rajoni janë rekrutuar dhe kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak. Ata janë kryesisht nga Bosnja apo Kosova”, ka deklaruar ky zyrtar.

Megjithatë ky zyrtar pranon se shumica e popullatës nuk përkrah këtë radikalizëm fetar dhe se autoritetet e këtyre vendeve janë shumë aktivë në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit dhe bashkëpunojnë me autoritetet e sigurisë së vendeve të BE-së.