Lajme

Kosova dhe Serbia nesër diskutojnë në Bruksel për çështje ekonomike

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha të mërkurën se në takimin e së enjtes në Bruksel ndërmjet grupeve teknike të Kosovës dhe Serbisë do të diskutohet për çështjet e bashkëpunimit ekonomik.

Ai i bëri këto komente një ditë pasi Bashkimi Evropian konfirmoi takimin e 27 gushtit në Bruksel në nivel të ekspertëve.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se në takimin e së enjtes në Bruksel do të diskutohet për fazën përfundimtare drejt njohjes së ndërsjellë.

“Nesër diskutimet që bëhen në Bruksel janë pjesë e marrëveshjes finale për njohje reciproke, që adresuan në takimin e mëhershëm çështjen e të pagjeturve, dhe nesër do të diskutohen çështjet e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve”, tha kryeministri Hoti.

Bisedimet në nivel të grupeve të ekspertëve pritet të mbahen një javë para takimit në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të ndërmjetësuara nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Zyrtarë amerikanë në disa raste kanë theksuar se takimi në Shtëpinë e Bardhë do të përqendrohet në çështjet ekonomike ndërmjet të dyja vendeve, ndërsa cështjet politike do të jenë në duar të evropianëve.

Në Kosovë ekspertë të ekonomisë thonë se përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike mundëson krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm ekonomik dhe politik në rajon.

Më 16 korrik, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet me 7 shtator, shkruajnë mediat kosovare, përcjell albinfo.ch