Lajme

Kosovë, opozita bën koalicion parazgjedhor

Dy partitë më të vogla opozitare, AAK dhe NISMA kanë nënshkruar koalicionin parazgjedhor. Lënë të hapur mundësinë edhe për partitë tjera

Pas prishjes së raporteve me Lëvizjen Vetëvendosje, dy partitë tjera opozitare në Kosovë,  Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicion parazgjedhor. Marrëveshja u nënshkrua nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i NISM-ës, Fatmir Limaj.

Sipas kësaj marrëveshje, dy partitë opozitare, që bashkërish i kanë 15 deputetë në Kuvendin e Kosovës, janë dakorduar që në zgjedhjet e ardhshme ta ndërtojnë një koalicion parazgjedhor, me qëllim ndryshimin e qeverisjes aktuale. Në marrëveshje thuhet se mbeten të hapur mundësitë edhe për partitë tjera, madje edhe nga shoqëria civile.

“Janë të hapura dyert për të gjitha partitë politike. Kjo është marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit opozitar. Ky koalicion parazgjedhor jep shpresë për ndryshim të qeverisjes”, ka thënë Limaj.

Në anën tjetër, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se po e lidhin një bashkëpunim si një opsion për ndryshimin e gjendjes në vend. Ai po ashtu theksoi se nuk do të kthehen në Kuvend, por në interesa nacionale që janë më afatgjata se një Qeveri atëherë do ta shqyrtojnë një vendim të tillë.

AAK drejtohet nga ish kryeministri dhe gjenerali i UÇK-së, Ramush Haradinaj. Ai ka qenë kryeministri i Kosovës vetëm për 100 ditë në vitin 2005, duke u detyruar të japë dorëheqje, pasi që ndaj tij u ngrit aktakuzë nga Tribunali Penal i Hagës për krime lufte. Pas dy procesesh, Haradinaj doli i pafajshëm, por partia e tij nuk arriti të hyj në pushtet që nga viti 2007.

Ndërkaq, partia NISMA e formuar dy vjet më parë, ka dalë si fraksion i Partisë Demokratike të Kosovës, që drejtohej deri para një muaji nga presidenti Hashim Thaçi. NISMA drejtohet nga Fatmir Limaj ish sekretar i PDK-së dhe Jakup Krasniqi ish kryeparlamentar i Kosovës në dy mandate.