Lajme
Korrupsioni*

Fjala korrupsion është bërë ndër fjalët më të përtypura në gojën e qytetarëve të Kosovës. Tek dëgjon të përmendet vend e pavend, të bëhet se tashmë korrupsioni është bërë pjesë normale dhe e pashmangshme e përditshmërisë kosovare.
Si një dukuri jonormale për një shtet ligjor e demokratik, korrupsioni në Kosovë është shndërruar në një fenomen të zakonshëm, nga i cili të tillët nuk turpërohen. Na ka rënë të shohim funksionarë të lartë të zihen me «pelë për dore» duke «vjedhur» dhe të mos skuqen fare për veprimet e tyre antiligjore.
Për të qenë ironia edhe më e madhe, ata me pranga në duar dhe të përcjellë nga policia ecin kryelart dhe të buzëqeshur sikur të kenë bërë ndonjë vepër triumfale! Kjo nuk ndodh në asnjë vend evropian. Këto sjellje të çuditshme sa meritojnë të studiohen nga psikologët, po aq shpalosin përmasat e thella që ka marrë korrupsioni në Kosovë, duke u shndërruar në diçka të zakonshme.
Buzëqeshjet ironike e “të korruptuarve», apo thënë ndryshe, të «hajnave» para opinionit në të vërtetë sfidojnë drejtësinë në Kosovë, e cila, siç është vlerësuar nga shumë raporte serioze evropiane, po ashtu del të jetë e korruptuar.
Nëse është e vërtetë ajo që thuhet e shkruhet nga Komisioni Evropian, e unë jam i bindur se ato janë të vërteta, atëherë në mungesë edhe të moralit njerëzor e intelektual është krejt normale të shohim në ekranet e televizorëve skena të tilla aq të shëmtuara për një udhëheqës të një shteti katërvjeçar që është themeluar me aq shumë mund, gjak e sakrificë. «Hajni ia mban shkallën hajnit», thotë një fjalë popullore, andaj në këto rrethana fatkeqësisht është krijuar një realitet absurd sa askush nuk guxon ta akuzojë tjetrin për korrupsion.
Sot në Kosovën e lirë e demokratike që pretendon të futet në familjen evropiane të pakorruptuarit e kanë vështirë të mbijetojnë dhe ndihen të rrezikuar nga klanet e të korruptuarve, të cilat, siç po shihet publikisht, për fat të keq kanë depërtuar bukur shumë në vende kyçe të institucioneve të rëndësishme shtetërore.
Ajo që shpeshherë është shpallur në media si «luftë kundër korrupsionit» dhe zhurma e madhe mediale «antikorrupsion» më tepër mund të kuptohen si një amnisti ndaj të korruptuarve, se sa një realitet që duhet të ndodhë patjetër një ditë.
Le të shpresojmë për një antikorrupsion të vërtetë dhe për një shtet ligjor bashkë me miqtë tanë evropianë nëse vërtet aspirojmë të jemi pjesë e shoqërive normale demokratike, ku sundon ligji dhe drejtësia për të gjithë qytetarët nga më i madhi te më i vogli. Aktualisht jemi shumë larg asaj për të cilën po pretendojmë vetëm me fjalë dhe këngë folklorike.
* Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
E-Diaspora
-
Turne humanitar i futbollit në Vjenë: Mblidhen 70.000 € për “Jetimët e Ballkanit” Shuma e parave do të dedikohet për ndërtimin e dy shtëpive për familjet në nevojë ...
-
Iu dha lamtumira e fundit Lea Bajramit, viktimë e sulmit në Austri
-
Vdes 18 vjeçari nga Kosova, në një liqe, në Gjermani
-
30 vjet të Ansamblit “Vatra”, një përvjetor që frymëzon
-
Gjermani: Humb jetën tragjikisht 18-vjeçari shqiptar në një liqen
Jeta në Austri
-
Austria forcon ligjet për armët dhe sigurinë në shkolla pas tragjedisë në Graz Pas sulmit të përgjakshëm në një shkollë të mesme në Graz ku humbën jetën dhjetë persona,...
-
Der Standard: “Në Kosovë tani po mbretëron kokëfortësia”
-
Turne humanitar i futbollit në Vjenë: Mblidhen 70.000 € për “Jetimët e Ballkanit”
-
Iu dha lamtumira e fundit Lea Bajramit, viktimë e sulmit në Austri
-
Tirol: Tre alpinistë të vrarë nga rrufeja