Shkurt.ch

Komuna zvicerane me 13 banorë, mbetet pa ekzekutiv

Kryetari i ekzekutivit dhe dy “ministrat” lokalë kanë dhënë dorëheqje nga postet respektive

Kush e ka ditur se në Zvicër qenka një komunë me vetëm 13 banorë? Dhe, një komunë e tillë, Corippo në Kantonin e Tiçinos, paska pasur edhe ekzekutiv të sajin! Natyrisht, publiku i gjerë këtë e kuptoi sot, kur u kumtua se kryetari i ekzekutivit dhe dy “ministrat” lokalë kanë dhënë dorëheqje nga postet respektive.

Sidoqoftë, Corippo e cila deri tash është qeverisur nga këta tre persona, tash e tutje do të adminstrohet nga një i dërguar për regjionin e Luginës së Verzasca-s, shkruan srf.ch. Dhe në fakt, ky fshat ishte dashur prej kohësh të fuzionohej në kuadrin e një komune të madhe me emrin Verzasca, por një fuzionim i tillë është shtyrë tashmë disa herë, transmeton albinfo.ch.

Komuna e dytë për nga vogëlsia në Zvicër është ajo me emrin Bister në Kantonin Valis, e cila numëron 31 banorë.