Komuna e Vitisë është goditur nga tragjedi pas humbjes së jetëve të tre të rinjve në një periudhë prej vetëm tre ditësh. Për të nderuar kujtimin e tyre dhe për të shprehur solidaritet me familjet e pikëlluara, kryetari i komunës, Sokol Haliti, ka shpallur të mërkurën, më 11 qershor 2025, ditë zie komunale.
“Në shenjë nderimi për jetën e tyre dhe si shprehje e dhimbjes së përbashkët me familjet e goditura, shpall të mërkurën ditë zie në Komunën e Vitisë,” thuhet në njoftimin zyrtar të kryetarit Haliti, transmeton albinfo.ch.
Gjatë kësaj dite zie do të zbatohen këto masa:
-
Flamujt në të gjitha institucionet publike do të ulen në gjysmështizë;
-
Të gjitha aktivitetet festive, kulturore dhe sportive do të pezullohen;
-
Qytetarët dhe institucionet do të nderojnë të ndjerët me heshtje dhe respekt.
Kryetari Haliti u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen në këtë ditë zie, për të përkujtuar të rinjtë që humbën jetën dhe për të qëndruar pranë familjeve në këtë kohë dhimbjeje.
“Ngushëllimet më të sinqerta për familjet e prekura. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen dhe i pastë të ndjerët në mëshirën e Tij,” përfundon mesazhi i tij.