Lajme

Komisioni rekomandon zgjerimin e Lirisë së Lëvizjes me Kroacinë

Ky komision kërkon nga parlamenti që të ratifikohet protokolli plotësues i nënshkruar nga Qeveria Federale për marrëveshjen e lëvizje së lirë

Komisioni për Politikë të Jashtme i Dhomës Nacionale të Parlamentit (APK) është shprehur për zgjerimin e parimit të Lirisë së Lëvizjes që vlen me të gjitha shtete e BE-së, edhe me Kroacinë.

Ky komision kërkon nga parlamenti që të ratifikohet protokolli plotësues i nënshkruar nga Qeveria Federale për marrëveshjen e lëvizje së lirë. Këtë vendim APK e ka marrë me 17 vota pro dhe 7 kundër, ka njoftuar kryetari i komisionit Roland Büchel për mediat e Bernës, bën të ditur srf.ch.

Për shkak të dyshimeve lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit, një pakicë ishte e mendimit që zgjerimi të mos shqyrtohej madje fare, por pakica është mbivotuar, transmeton albinfo.ch. Që nga miratimi i iniciativës kundër migracionit masiv, kushtetuta ndalon lidhjen e marrëveshjeve të reja në fushën e të drejtës ndërkombëtare të cilat nuk lejojnë dirigjimin e migracionit.