Lajme

Kolona të gjata me shqiptarë në kufirin Serbi-Kosovë

Siç bën të ditur bashkëpunëtori i albinfo.ch, Naser Tafolli, i ndodhur edhe vetë në këtë kolonë, pritjet po zgjasin tash më shumë se pesë orë ndërsa kolonat janë të gjata mbi 5 kilometra

Në kufirin në mes të Kosovës dhe Serbisë, në pikëkalimin kufitar Merdare janë zgjatur kolonat e automobilave me emigrantë kryesisht shqiptarë, që nga shtetet perëndimore shkojnë për festat e fundvitit në Kosovë.

Siç bën të ditur bashkëpunëtori i albinfo.ch, Naser Tafolli, i ndodhur edhe vetë në këtë kolonë, pritjet po zgjasin tash më shumë se pesë orë ndërsa kolonat janë të gjata mbi 5 kilometra.

“Jemi këtu mbi pesë orë duke pritur në radhë, në anën serbe. Duket se policia kufitare e Serbisë nuk çan kokën për radhët e gjata të automjeteve në pritje me targa të Zvicrës, Austrisë, Gjermanisë etj., shumica dërmuese familje shqiptare. Kolona e automjeteve që presin për të hyrë në Serbi tashmë është e gjatë saqë nuk duket fare kufiri“, tha Naser Tafolli, i cili tashmë ka ikur nga kolona e gjatë duke kërkuar një vendkalim tjetër kufitar me Kosovën. Tafolli tha se faji qëndron edhe te pala kosovare për pritjet e gjata që po shkaktohen në  pikëkalimin kufitar Merdare . “Problemi me pritjet e gjata është sfidë edhe për ministrin e ri të diasporës”, tha Tafolli. Ndërkohë ai  ka kaluar shumë shpejt në pikën kufitare Dheu i Bardhë.

Pritjet e gjata të qytetarëve të Kosovës në kufirin Kosovë – Serbi ndodhin çdo vit gjatë sezonit të verës por edhe për festat e fundvitit.

Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kishin potencuar se do të marrin masa që t’i evitojnë këto pritje.