Kosova

KFOR-i jep detaje nga asgjësimi i predhës me peshë 250 kilogramë, daton nga Lufta e Dytë Botërore

Personeli austriak i Ekipit për Asgjësimin e Mjeteve të Pashpërthyera, i cili operon në kuadër të KFOR-it, realizoi sot një shpërthim të kontrolluar dhe të suksesshëm në Kaçanik të një bombe që daton nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas njoftimit nga KFOR-i, në këtë aktivitet kanë marrë pjesë Policia e Kosovës dhe FSK-ja, teksa bëhet e ditur se pajisja, me peshë 250 kg, u gjet më 26 prill nga banorët lokalë të zonës, pranë një lumi.

“Përgatitja dhe ekzekutimi i kësaj veprimtarie u kryen në përputhje me standardet ndërkombëtare, për të garantuar sigurinë e komunitetit lokal, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani. Personeli i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ndoqi gjithashtu këtë aktivitet si pjesë e trajnimit të tyre, në përputhje me mandatin e tyre fillestar”, thuhet në komunikatë, transmeton albinfo.ch.

Më tutje, bëhet e ditur se Policia e Kosovës kishte rrethuar zonën, ndërkaq ekipet EOD, përbërëse nga personel shumë i specializuar, i trajnuar dhe i pajisur mirë për të trajtuar në mënyrë të sigurt mjetet e pashpërthyera, janë gjithmonë të gatshëm për t’u përgjigjur ndaj kërkesave për ndihmë në këtë fushë.