Futboll

Këshillat e babait dhe debutimi me Kosovën, rrëfehet Alketa Rama

Alketa Rama është e bija e legjendës, Milaim Rama. Futbollistja e FC Zürich dhe e Kombëtares së Kosovës, vjen me një intervistë ekskluzive për Albinfo.ch

Mbiemri Rama është i njohur në futboll. Dikur te meshkujt, tani edhe te femrat. Milaim Rama ishte futbollisti i parë nga Kosova që vendosi të luajë për Zvicrën. Vajza e tij, Alketa, po jeton ëndrrën e saj në futboll. Ajo luan për klubin FC Zürich, ndërsa përfaqëson vendlindjen e familjes së saj, Kosovën.

Në një intervistë për albinfo.ch, Alketa tregon për kohën nga fillimet në futboll e deri te realizimi i ëndrrës së saj, si dhe për këshillat nga babai.

Albinfo.ch: A mund të na tregoni fillimisht si vendosët të merreni me futboll?

Alketa Rama: Futbollin e luaj prej që kam filluar të ec, kështu që nuk ka qenë një vendim që e kam marrë dhe kam thënë po filloj të luaj, por futbolli ka qenë edhe për shkak babit, gjithmonë pjesë e jetës time prej që jam fëmijë.

Albinfo.ch: Cilat kanë qenë këshillat nga familja dhe sa ke pasur përkrahjen e saj?

Alketa Rama: Më kanë përkrahur gjithmonë. Në fillim më thoshte gjyshi ‘pse moj Alketa nuk po luan tenis, më mirë është për femra’, por shpejt kuptuan që nuk mundem të më ndajnë nga topi i futbollit dhe më kanë përkrahur maksimalisht.

Albinfo.ch: Çfarë të thotë babai yt (Milaim Rama) i cili është ish-futbollist i njohur ndërkombëtar?

Alketa Rama: Babi është gjithçka për mua dhe jam shumë krenare të jem bija e tij. Është një ndjenjë jashtëzakonisht e bukur të jesh vajza e një ish futbollisti, siç është babi im (Milaim Rama). Edhe ai është shumë krenar me mua.

Albinfo.ch: Kush është fansi juaj më i flaktë kur luani ju?

Alketa Rama: Babi. Sepse ai e ndjen këtë më së miri. Por, të dytë, si nëna si babi, më ndjekin kudo që të jem. Ata do të vijnë gjithandej për të më përkrahur si luaj.

Albinfo.ch: Çfarë keni mësuar nga babai për futbollin?

Alketa Rama: Ai më këshillon çdo ditë por një gjë që ma thotë gjithmonë është: “aty ku të dhemb, aty duhesh të jesh”.

Albinfo.ch: Çfarë ndjenje është të luash për Kosovën dhe si e kanë pritur këtë familja dhe shoqëria juaj?

Alketa Rama: Të luaj për Kosovën është një ndjenjë jashtëzakonisht e bukur, që e kam të vështirë ta përshkruaj. Familja dhe shoqëria janë ndier shumë krenarë me mua dhe më përgëzojnë për çdo grumbullim ose ndeshje.

Albinfo.ch: Si ka qenë debutimi me Kosovën A, pasi më herët keni luajtur për Kosovën U17 dhe U19?

Alketa Rama: Debutimi me Kosovën A ka qenë një ndjejnë shumë speciale për mua. Jam ndier si në ëndërr, derisa e kam kuptuar që ëndrra ime me të vërtetë u realizua dhe unë po luaj në Stadiumin “Fadil Vokrri”, për vendlindjen e prindërve të mi.

Albinfo.ch: Si është futbolli i vajzave në Zvicër? Sa i kushtohet rëndësi dhe cilat janë synimet e tua për të ardhmen?

Alketa Rama: Futbolli i vajzave në Zvicër është i mirë dhe ka kualitet. Këtë e dëshmon Kombëtarja Zvicerane e Femrave dhe pa dyshim është në ngritje të cilësisë. Unë kisha pasur dëshirë që futbollit të femrave t’i kushtohet edhe më shumë rëndësi, se edhe ne femrat stërvitim thuajse njëjtë si meshkujt dhe për këtë duhet të përkrahet më shumë dhe të mbështetet edhe nga sponsorët që edhe vajzat këtu në futbollin zviceran të jetojnë vetëm prej futbollit.

Synimet e mia janë të zë një vend në ekipin e parë sa më shpejt dhe ta ndihmoj edhe ekipin të bëhet kampion. Dëshira ime është që një ditë të luaj në ndonjë Ligë dhe më të fortë se në Zvicër, por kjo besoj që do të vijë me kohë.

Alketa Rama luan për klubin zviceran, FC Zürich. Ajo do të jetë pjesë e klubit deri më 2027. Rama i ishte bashkuar Zürichut në vitin 2016, si 13-vjeçare, ndërsa që atëherë ka kaluar në çdo grupmoshë të klubit, deri te ekipi i parë. Ajo është vajza e legjendës së futbollit zviceran, Milaim Rama. Ajo ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën, për të cilën ka  zhvilluar deri më tani, dy ndeshje.