Lajme

Kërkohet ndihma e “Facebook”-ut kundër kriminalitetit

Brenda 6 muajve të vitit 2015, Kosova ka kërkuar informacione të detajuara nga “Facebook”-u në 6 raste, të cilat përfshijnë 14 llogari apo persona. Edh Shqipëria kërkoi ndihmë nga “Facebook"

Për të krijuar një ambient më të sigurt dhe më të mbrojtur nga grupet e ndryshme kriminale, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar ndihë nga shtetet ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat e institucionet që merren me publikun. Në këtë segment, Qeveria e Kosovës me institucionet e saja të sigurisë, kanë  kërkuar ndihmë edhe nga rrjeti më i madh social në botë “Facebook”.

Në 6 muajt e parë të vitit 2015, Kosova ka kërkuar informacione të detajuara nga “Facebook”-u në 6 raste, të cilat përfshijnë 14 llogari apo persona.

“Kosova ka bërë 6 kërkesa në pjesën e parë të vitit 2015, për 14 llogari të ndryshme. Ndërkohë që të dhëna janë siguruar vetëm në 50 për qind të këtyre rasteve”, thuhet në raportin e “Facebook”- ut për Kosovën, raporton gazeta “Zëri” në numrin e sotëm.

Shumica dërrmuese e këtyre kërkesave, sipas zyrtarëve të kësaj kompanie, kanë të bëjnë me çështjet penale, siç janë plaçkitjet apo rrëmbimet, por edhe që prekin sigurinë shtetërore.

“Në shumë nga këto raste, Qeveria kërkon informacion bazë, të tilla si emri dhe kohëzgjatja e shërbimit. Mund të kërkojnë adresën IP shkrimet apo përmbajtja e llogarisë”, thuhet në përgjigjen nga “Facebook”-u. Megjithatë, që një kërkesë e Qeverisë të procedohet nga kjo kompani duhet që të kalojë nëpër shumë filtra juridike dhe etike, thuhet në raportin e kësaj gazete.

“Ne kemi procese të rrepta ndaj trajtimit të kërkesave të Qeverisë. Çdo kërkesë që marrim kontrollohet për mangësi ligjore. Ne u kërkojmë zyrtarëve të sigurojnë një përshkrim të hollësishëm të bazës ligjore dhe faktike për kërkesën e tyre dhe ne kundërshtojmë kur gjejmë mangësi ligjore, kërkesa tepër të gjera ose të paqarta për informacionin e kërkuar. Ne shpesh ndajmë vetëm informata të abonuara themelore”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

Në vitin e kaluar, autoritete e Kosovës kanë kërkuar ndihmë nga “Facebook” për 11 raste, për saktësisht 32 llogari të ndryshme. Arsyet kanë qenë në përgjithësi për çështje kriminale.

Ndryshe, edhen Shqipëria është në mesin e shteteve e cila në disa raste ka kërkuar ndihmën e “Facebook”-ut. Qeveria shqiptare ka kërkuar informacione në 8 raste gjatë pjesës së parë të vitit 2015 për 14 raste. Ndërkohë, vendi me më së shumti kërkesa drejt “Facebook”-ut është SHBA me 17.577 raste për saktësisht 26.579 llogari. Pas SHBA-ve, pason India me mbi 5 mijë kërkesa,

Franca dhe Gjermania me mbi 2 mijë kërkesa, Britania e Madhe me mbi 3 mijë kërkesa, Brazili mbi 1 mijë kërkesa, etj. Ndërkohë Serbia ka kërkuar informacione në “Facebook” në 19 raste për 27 persona.