Gruaja

Karriera shkencore mbetet e vështirë për gratë

Shumë pengesa mbeten në rrugën e grave që dëshirojnë të ndjekin një karrierë shkencore në Zvicër. Përputhja e punës me çështjet familjare vazhdon të jetë e vështirë për t’u realizuar. Prandaj, gratë vazhdojnë të mos jenë mjaft të përfaqësuara në botën e shkencës dhe teknologjisë. Portali Swissinfo i ka kushtuar një shkrim të tërë këtij fenomeni, duke përmbledhur vështrimet dhe dëshmitë e disa grave të suksesshme në lëmmenjtë shkencorë në një anë, dhe duke shqyrtuar barrierat konkrete me të cilat përballohet një grua moderne që synon të bëjë karrierë në shkencë. Çështja e emancipimit të gruas është pjesë e interesave të Albinfo.ch, prandaj edhe përshkrimi në vijim u propozohet lexuesve të saj.

“Shkenca është si një humnerë. Ju mund të investoni me orë të tëra”, vëren Susan Gasser, biologe e nivelit të lartë, e cila ka fituar këtë vit çmimin për Gratë në Shkencën e organizatës evropiane të Biologjisë Molekulare (EMBO) .

“Një grua beqare dhe një burrë beqar fillojnë garën përafërsisht në të njëjtën moshë”, thekson biologia. Por është pothuajse e pashmangshme që shumica e grave të bëjnë një pauzë gjatë kohës së lindjes së fëmijëve si dhe gjatë rritjes së tyre. Derisa dihet që duhet shumë përkushtim dhe aftësi për të qëndruar në nivel të lartë”, shpjegon Zonja Gasser.

© Susan Gasser

Një grua, sipas shkencëtares, duhet të pranojë se “ndoshta kurrë nuk do mund të jetë njëkohësisht shkencëtarja më mirë dhe nëna më e mirë”, aq sa ajo do të kishte dëshiruar. Prandaj, në një moment do të detyrohet të bëjë kompromise.

Pas 30 vjet karrierë Susan Gasser ka shkruar më se 200 artikuj dhe raporte shkencore. Ajo tani kryeson Institutin Friedrich Miescher për Kërkime Biomedikale në Basel. Çmimi EMBO / FEBS ka vlerësuar punimet e saj sikur “punë të jashtëzakonshme” të kryera nga një biologe molekulare dhe si një këshilltare.

“Unë kam marrë tashmë çmime të tjera, por ky është i veçantë për shkak se shpërblen më shumë se të qenit një shkencëtare të mirë. Ai thekson faktin se tani jam bërë gjithashtu një model dhe që, ndoshta, do të ndihmojë gratë e tjera të reja në një fushë, ku ato janë akoma pak veta”.

Programi nacional për kërkime

Në vitin 2009, një raport i Bashkimit Europian ka vështruar se gratë kanë vetëm 27% të pozicioneve në lëmin e shkencës dhe teknologjisë dhe vetëm 6% në teknologji dhe teknologji informatike. Kurse në shkencat sociale dhe shëndetësore ato janë të stërpërfaqësuara.

Në Zvicër, një Program nacional për kërkime (PNR 60) është duke punuar për barazinë gjinore. Qëllimi i tij? Identifikimi i shkaqeve të pabarazisë, listimi i politikave barazuese dhe përpilimi i rekomandimeve për politikat dhe praktikat e qëndrueshme për përmirësimin e barazisë. Raporti final duhet të dorëzohet në Këshillin Federal (Qeveria) në vitin 2014.

Një nga pjesët e këtij programi analizon arsyet e mungesës së inxhinierëve femra. Përse përfaqësimi i tyre në mesin e studentëve është më i ulët sesa mesatarja evropiane.

“Ne kemi vendosur se gratë kapërcejnë pengesa të fuqishme në çdo fazë të karrierës së tyre”, thotë një udhëheqëse e hetimit, Anja Umbach-Daniel. “Kurse stafi i zyrave të larta nuk është i vetëdijshëm. Ata mendojnë se nuk ka asnjë problem për gratë dhe që ato i kanë të njëjtat mundësi si burrat”.

Ndihma për përkujdesje të fëmijëve

Edhe pse është me vonesë, Zvicra nuk përbën një përjashtim në Evropë. Sipas një studimi të vitit 2007, vetëm tri vende, Letonia, Lituania dhe Polonia, kanë proporcione të njëjta të inxhinierëve dhe inxhiniereve. Mesatarisht në BE 43% e shkencëtarëve dhe inxhinierëve janë gra. Zvicra arrin gati në fund të renditjes me një pjesëmarrje prej vetëm 18 për qind të grave.

“Mungesa e grave në profesione shkencore dhe teknike është një nga çështjet më të mëdha të barazisë tonë”, thotë Etiennette Verrey, presidente e Komisionit Federal për Çështjet e Grave (KFCG). “Edhe pse barazia është e sanksionuar në ligj, ne duhet të bëjmë shumë për të ndryshuar qëndrimet dhe mentalitetin si dhe të organizojmë mbështjen për familjet”.

Me që listat e pritjes për çerdhe fëmijësh janë shpeshherë të gjata, Etiennette Verrey i bën thirrje shtetit, por edhe sektorëve privatë që të përmirësojnë mbështetjen për kujdesin e fëmijëve. “Një shkencëtar nuk mund thjesht të largohet nga puna një vit apo dy”, tërheq vëmendjen presidentja e KFCG-së.

Të rindahen djemtë nga vajzat?

Sipas Etiennette Verrey, duhet të ndryshojmë patjetër kuptimin e roleve. Deri tani programet shkollore për të inkurajuar vajzat që të interesohen më shumë për shkencë kanë pasur pak sukses.

Disa shkolla kanë marrë zgjedhjen që të ndajnë përsëri djemtë dhe vajzat në disa degë, në mënyrë që të tërheqin elementin e konkurrencës mes gjinive. “Vajza nuk mund të thotë se me që është një vajzë, ajo është e dobët në matematikë”. Në Zvicër nuk kemi universitetet për gratë, siç ndodh në SHBA”, shton Etiennette Verrey.

Për Susan Gasser, fakti që ajo do të bënte karrierë ishte e qartë. “Gjyshja dhe nëna ime kanë pasur një karrierë profesionale”, thotë ajo. Unë gjithmonë kam dëshiruar të bëj një karrierë shkencore dhe të krijoj njëkohësisht familje. “Për më tepër, kur arrin të pajtosh jetën private dhe profesionale, ju mësoni të jeni më efektive, gjë që është shumë e dobishme në një karrierë shkencore”.

“Mbështetja femërore është shumë e rëndësishme për mua, sepse mendoj që burrat nuk e kuptojnë presionin mbi gratë”, thotë studiuesja. Ata nuk e dinë se çfarë do të thotë hendeku i madh midis familjes dhe karrierës”.

Pikërisht, çfarë këshille do t’u jepte ajo grave të reja shkencëtare?

Përgjigje: “Dini se çfarë dëshironi, gjeni një burrë të mirë, bëhuni pragmatike dhe të gatshme për të bërë sakrifica”.