Lajme

Kapet një grup i organizuar, i dyshuar për prostitucion

Në mesin e tyre ka edhe pjesëtarë të policisë. Sipas prokurorisë ata vepronin të organizuar në zona të ndryshme të kryeqytetit shqiptar

Mediet në Shqipëri njoftojnë se Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim 28 persona të akuzuar për përfshirjen në një rrjet të gjerë prostitucioni. Në mesin e tyre ka edhe pjesëtarë të policisë.

Sipas prokurorisë ata vepronin të organizuar në zona të ndryshme të kryeqytetit shqiptar.

“Hetimi i Prokurorisë së Tiranës, i nisur në bazë të informacionit policor, si dhe i kryer me veprime konkrete policore në terren, ka zbuluar se një pronar hoteli, disa taksistë, një inspektor policie, si dhe disa vajza, bashkëpunonin me njëri-tjetrin për të siguruar “klientelë” për vajzat që ushtronin aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit.

Pagesa për çdo “shërbim seksual” varionte në shifrat 50-200 euro për orë”, theksohet në njoftim.

Prokuroria njofton se ka identifikuar këta persona në bazë të tri ngjarjeve që kanë ndodhur, ku personazhet e këtij aktiviteti lidheshin me njëri-tjetrin.