Shkurt.ch

Kantonet, pro rishikimit të Ligjit të Azilit

Ndryshimi që do të pasojë, po ashtu do të shkarkojë kantonet, pasi që më shumë detyrime merr federata, thonë në Konferencën e drejtorëve të policisë së kantoneve

Konferenca e drejtorëve të policive kantonale ka marrë qëndrim njëzëri për të përkrahur rishikimin e Ligjit mbi Azilin, për të cilin populli zviceran do të votojë më 9 qershor. Kështu ka deklaruar të premten në Bernë kryetari i kësaj konference, Hans-Jürg Käser.

Duke mbështetur këtë qëndrim, konferenca ka parasysh shkurtimin e procedurave të kërkesave të azilit, që mundësohen me rishikimin e ligjit. Ndryshimi që do të pasojë, po ashtu do të shkarkojë kantonet, pasi që më shumë detyrime merr federata.

Ndryshimet për të cilat do të votohet, në fakt janë në fuqi që nga fillimi i këtij viti. Ato janë votuar në parlament me procedurë të shpejtë për shkak të urgjencës që u është përshkruar. 

„Me rishikimin e Ligjit të Azilit, nuk do t`u ndahen kantoneve ata persona, kërkesa për azil e të cilëve duket qartë se është pa shanse për pranim“, ka thënë Hans-Jürg Käser. Dhe kjo, sipas tij, nënkupton një shkarkim të madh për kantonet.

Ligji i rishikuar do t`ia lehtësojë federatës që t`i hapë dhe administrojë strehimoret që ka në dispozicion. Në këtë mënyrë ajo do t`u ndajë më pak azilkërkues kantoneve dhe do të mund të marrë vendime të atypëratyshme për rastet që nuk kanë argumente për azil.

Në qendrat federale për strehim, të cilat do të jenë në afërsi të qendrave ekzistuese, do të vendosen rreth 500-600 azilkërkues. Në to do të përqendrohen të gjitha hallkat e procedurës së azilit, për të shkurtuar dhe bërë më efikase këtë procedurë.